Autoritetet italiane kanë zhvilluar kontrolle në zyrat e klubit Bari, Napoli dhe kompanisë Filmauro Srl, në kuadër të një hetimi të Guardia di Finanza, të koordinuar nga Prokuroria e Barit.
Nën hetim janë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, dhe djali i tij, Luixhi De Laurentis, ish-administrator i vetëm i SSC Bari. Sipas autoriteteve, ata dyshohen për deklarime të rreme në pasqyrat financiare të klubit Bari për vitin 2024, si edhe për falimentim mashtrues në lidhje me procedurat e likuidimit të klubit.
Sipas Guardia di Finanza, hetimi mbështetet në analizën e detajuar të bilanceve financiare, raporteve të administrimit dhe dokumentacionit kontabël të SSC Bari, të shoqëruar edhe me ekspertiza teknike.
Nga verifikimet paraprake, hetuesit kanë konstatuar se klubi ka regjistruar humbje të vazhdueshme prej rreth 30 milionë eurosh gjatë periudhës 2019-2025. Po ashtu, sipas tyre, SSC Bari përballet me një deficit të konsiderueshëm kapitali dhe një nivel të lartë detyrimesh, ndërsa mungon një plan konkret për rimëkëmbjen financiare të klubit.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet italiane po shqyrtojnë përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve në administrimin financiar të SSC Bari.
Lini një Përgjigje