Këshilli i Qarkut Shkodër ka propozuar që gjyqtari Astrit Kalaja, i vrarë në krye të detyrës më 6 tetor 2025, të shpallet "Dëshmor i Atdheut".
Nisma është mirëpritur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila thekson se kjo përbënte një nga kërkesat unanime të Konferencës së Gjyqtarëve, të zhvilluar më 9 tetor 2025. Sipas saj, vendimmarrja e Këshillit të Qarkut përbën një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të procesit administrativ për njohjen e këtij statusi.
Shoqata u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të përshpejtojnë procedurat për njohjen zyrtare të statusit "Dëshmor i Atdheut" për gjyqtarin Astrit Kalaja, duke theksuar se ky është trajtimi i duhur ligjor dhe institucional për çdo funksionar shtetëror që humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
"Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës. Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi. Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.", thuhet në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.
Më 6 tetor 2025, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip Kurti dhe djali i tij, Ervis Kurti, të cilët ishin pjesë e palës kundërshtare në proces.
Elvis Shkambi, së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, po prisnin vendimin e radhës në një prej proceseve të shumta gjyqësore që lidhen me konfliktin për pronësinë me 31 familje. Mosmarrëveshja e gjatë nisi në vitet '90, pasi familja Shkambi përfitoi një pronë në cilësinë e ish-pronarëve, ndërsa në të njëjtën godinë ishin sistemuar për strehim 31 familje. Ky konflikt është shoqëruar me procese gjyqësore që vijojnë prej rreth tre dekadash.
Lini një Përgjigje