Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përkujtuar njëvjetorin e lirimit të tij, duke e cilësuar periudhën e qëndrimit në burg si një "sprovë të burgosjes politike".
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Salianji shprehet se pushteti mund t’i kufizojë përkohësisht lirinë një individi, por nuk mund të burgosë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai përfaqëson.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për institucione që zbatojnë dhe respektojnë ligjin, për një politikë që pranon mendimin ndryshe, si edhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga kërkesa për më shumë demokraci, drejtësi dhe llogaridhënie.
Në përfundim të mesazhit, ish-deputeti demokrat thekson se, një vit pas lirimit, bindja e tij është edhe më e fortë. Ai nënvizon se pengesat mund ta ngadalësojnë rrugën, por nuk mund t’ia ndryshojnë drejtimin, ndërsa shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
"Sot, një vit liri. Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.
Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë. Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.
Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin. Mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme.", shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje