
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen se ishin përfshirë në veprimtari të paligjshme që lidhen me lëndët narkotike dhe bastet sportive në një lokal në bulevardin "Zhan d'Ark".
Në pranga ka rënë pronari i lokalit, Zyfer Topulli, 56 vjeç, dhe Gerard Ereqi, 33 vjeç. Sipas policisë, 56-vjeçari e kishte përshtatur ambientin e biznesit për përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, si edhe për vendosjen e basteve sportive, ndërsa 33-vjeçari u kap në flagrancë duke vendosur baste me telefon celular.
Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e policisë sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, si dhe tre telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm të basteve sportive.
Arrestimet u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar "Vendtakimi", i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"Në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të vënies së tyre në dispozicion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar 'Vendtakimi'.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. T., 56 vjeç dhe G. E., 33 vjeç.
Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit të 56-vjeçarit, në bulevardin 'Zhan d'Ark', u gjetën sasi Cannabisi dhe 3 celularë me të cilët viheshin baste sportive. Ndërkaq, 33-vjeçari u kap në flagrancë, në ambientet e lokalit, duke vënë baste, me celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje