Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë orëve të natës në Krujë, ku objektiv ka qenë një automjet i tipit "Fiat". Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pa persona të lënduar.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, në të cilat shfaqet një person i dyshuar që vendos lëndën plasëse pranë automjetit dhe më pas largohet në këmbë. Sipas burimeve, autori kishte veshur rroba të errëta, dyshohet për të vështirësuar identifikimin e tij nga kamerat.
Nga hetimet paraprake rezulton se sasia e lëndës plasëse ka qenë e vogël dhe ishte vendosur në pjesën e përparme të automjetit, pranë kofanos. Për këtë arsye, policia dyshon se ngjarja mund të ketë pasur karakter paralajmërues ndaj pronarit të mjetit.
Automjeti është në pronësi të Dervish Gunit, i cili, sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve, ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë dhe është shprehur se nuk ka dijeni për motivet e ngjarjes apo autorët e mundshëm.
Megjithatë, policia nuk përjashton asnjë pistë hetimi dhe po verifikon edhe mundësinë që ngjarja të lidhet me një konflikt pronësie.
Lini një Përgjigje