
Analisti Edvin Kulluri ka kritikuar qeverinë lidhur me organizimin e koncertit të artistit Kanye West. Ai deklaroi se promovimi i eventit nga kryeministri Edi Rama, nuk do të ketë ndikimin në turizëm.
Sipas Kullurit, fakti që qeveria pritet të financojë koncertin me miliona euro tregon se organizimi i tij ka hasur vështirësi.
“Ne sot kemi diku te 10 milionë turistë, impakti që ka në turizëm koncerti nuk është kaq i madh sa thotë kryeministri. 4 milionë euro nuk po përdoren për reklama për ta çuar turizmin nga 10 milionë në 11 milionë. Rama ka mbetur i njëjti kryetar bashkie, drejtor komunal, merret me fasada dhe kumbulla të kuqe”, tha ai.
Analisti shtoi se qeveria nuk ka një vizion për administrimin e çështjeve publike.
“Nuk ka koncept të menaxhimit të punëve publike, i ka kthyer në qesharake. Pas fasadës ka realitete të vështira që kanë nxjerrë njerëzit në shesh. Kjo është një sfidë që po iu bën Rama atyre njerëzve që janë në shesh”, u shpreh ai për "News 24".
Kulluri kujtoi edhe rastin e koncertit të grupit "Scorpions", duke e krahasuar me situatën aktuale.
“Këto janë aventura personale, një rast kur Gonxhja dhe Rama u çuan në Prokurori ishte koncerti i ‘Scorpions’ pas skandalit me biletat”, shtoi ai.
Analisti vijoi me kritika ndaj modelit të zhvillimit të vendit dhe investimeve publike.
“Modeli i zhvillimit tonë është krimi i organizuar, problemet nuk i mbulon dot me një koncert. Kemi ende helikopterët e vitit 2013, s’kemi shtuar kapacitetet. Në ndërtimet në Palasë dhe Dhërmi nuk ka ujë”, vijoi Kulluri.
Gjithashtu, Kulluri u shpreh se organizimi i koncertit nuk ka ecur sipas planit fillestar.
“Nuk ishte nisur të organizohej me paratë e qeverisë, por mesa duket ka dështuar, edhe një këngëtar tallavaje do të kishte mbledhur më shumë njerëz”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje