Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar bërë një tjetër reagim të fortë kundër qeverisë ‘Rama’. Meksi ka kërkuar transparencë dhe verifikim të plotë për financimin e koncertit të Kanye West.
Sipas ish-ministres, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontroll parlamentar mbi aktin normativ dhe të sqarojë nëse janë përmbushur kushtet ligjore të nevojës dhe urgjencës për përdorimin e fondit rezervë.
Ajo thekson se administrimi i fondeve publike duhet të jetë i bazuar në ligj, proporcional dhe në funksion të interesit të qytetarëve.
Postimi i plotë:
Transparenca dhe respektimi i Kushtetutës: detyrim ndaj qytetarëve
Nisur nga lajmet e publikuara në media dhe nga publikimi i aktit normativ lidhur me financimin e koncertit të artistit Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit, konsideroj se është detyrim i Kuvendit të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e "nevojës" dhe "urgjencës" për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.
Kuvendi, si organi që ushtron kontrollin parlamentar dhe shqyrton/miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse, në këtë rast, janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e aktit normativ, si edhe kriteret që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Publikimi i këtij akti e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike.
Në një shtet të së drejtës, çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës.
Ju e ngritet, dhe ju mund te ndihmoni te largohet. Distancohuni nga ky kriminel, te gjithe shqiptaret patriot, pamarr parasysh bindjet politike.