Ibrahim Hasan, pjesë e stafit teknik të kombëtares së Egjiptit dhe vëllai i trajnerit Hosam Hasan, ka komentuar përballjen ndaj Argjentinës në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026.
Duke folur për televizionin egjiptian “Sada al-Balad”, Hasan u shpreh me besim përpara sfidës, duke vënë në pah forcën e skuadrës së tij dhe rolin e Mohamed Salah.
“Ata kanë Mesin, por ne kemi Mohamed Salah dhe 26 Mesi në dispozicion. Ne shpresojmë se Zoti do të na shpërblejë.”, tha ai.
Ndihmësi i kombëtares egjiptiane theksoi se ekipi nuk është i përqendruar te figura e Lionel Mesit, por vetëm te paraqitja e vet në fushë.
“Ne nuk e shohim Mesin, ne gjithmonë u themi lojtarëve të dalin dhe të luajnë pa i kushtuar vëmendje kundërshtarit.”, deklaroi ai.
Më tej, ai nënvizoi se Egjipti do ta trajtojë këtë sfidë si çdo ndeshje tjetër, pavarësisht emrit të kundërshtarit.
“Do të luajmë kundër Mesit? Ne as nuk menduam për këtë. Ne jemi të fokusuar te kombëtarja egjiptiane. Ne dalim për të luftuar në çdo ndeshje, qoftë Mesi apo ndonjë rival tjetër. Ne kemi Mohamed Salah dhe gjithashtu një grup lojtarësh të nivelit të lartë.”, u shpreh Hasan.
Në fund, Hasan u ndal te rrugëtimi i Egjiptit në Botëror, duke theksuar se objektivi i skuadrës nuk ka qenë vetëm pjesëmarrja, por avancimi sa më shumë në turne.
“Që nga dita e parë ne u thamë lojtarëve se nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrjen. Qëllimi ynë është të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur në turne”, ka përfunduar ai.
Lini një Përgjigje