
Koncerti i artistit Kanye West ishte një nga temat që u rikthye në qendër të fjalimeve gjatë protestës së 39-të kundër kryeministrit Edi Rama.
Disa protestues kritikuan përdorimin e fondeve publike për organizimin e eventit dhe u bënë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë.
Njëri prej protestuesve e cilësoi koncertin një "kurth" dhe tha se prioritet duhet të jenë shërbimet publike.
“Kini pak kujdes me festivalin se është një kurth. Në kohën që ne nuk kemi një paracetamol në spital, harxhojmë 4 milionë euro nga fondi i emergjencës për një festival. Ne nuk na kërcehet, ne na protestohet. Le ta shijojnë atë festival patronazhistët dhe sufllaqexhinjtë. Ne s’do biem viktimë e shprehjes ‘fshati digjet, vajza e mirë krihet’”, u shpreh ai.
Një tjetër protestues kritikoi gjithashtu përdorimin e fondeve publike, teksa shtoi se artistët shqiptarë nuk paguhen dhe vlerësohen ndërsa për të huajt derdhen miliona euro.
“Hapin thesin dhe japin 4 mln euro për një njeri, ndërkohë që ka talente shqiptare dhe nuk i paguajnë. Belinda Balluku as shkollën e mesme nuk e ka. Jemi mbledhur për Edi Ramën, për ta shporrur këtë kriminel që Shqipërinë e ka kthyer në pronë private. Mblidhemi dhe t’i shporrim këta politikanë, opozita këtu e ka vendin, prandaj nuk guxoni t’i dilni përballë!”, tha qytetari.

Një nga momentet më emocionuese të protestës së 39-të kundër kryeministrit Edi Rama u regjistrua kur në podium mori fjalën një nxënës i shkollës "Kiço Blushi".
Mes qindra protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ai zgjodhi ta nisë fjalën duke kujtuar Martin Canin, të riun që humbi jetën tragjikisht dhe u kërkoi të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje në nder të tij.
"Jam një nxënës i shkollës 'Kiço Blushi' dhe dua të flas për bashkëmoshatarët e mi. Dua të flas për Martin Canin që ndërroi jetë, dua të mbajmë një minutë heshtje për të. Faleminderit…", u shpreh ai.
Pas minutës së heshtjes, nxënësi foli për arsimin dhe vështirësitë që, sipas tij, përballen shumë fëmijë në Shqipëri.
"Shkolla ime ka qenë më e mira që kam pasur. Më vjen keq për ata fëmijë që nuk marrin dot arsim. Edi Rama jep dorëheqjen! Jep dorëheqjen sa më parë!", deklaroi ai.
Fjalimi i të miturit u prit me duartrokitje nga protestuesit e pranishëm, të cilët iu bashkuan edhe thirrjeve të tij në përfundim të fjalës.

Një paciente e prekur nga kanceri mori fjalën gjatë protestës së 39-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku ndau historinë e saj dhe ngriti shqetësime për skemën e rimbursimit të barnave në Shqipëri.
Mes emocionesh, ajo krahasoi shpenzimet publike për organizimin e koncerteve me vështirësitë që, sipas saj, hasin pacientët për të përballuar trajtimin mjekësor.
“Këtij nuk e meriton t’i thuash kryeministër, është palaço! Sot kur ai jep gjithë ato para për një koncert që nuk e kanë pranuar disa shtete, unë sot kam vajtur të marr ilaçet e kancerit. Më kanë kompensuar vetëm 60 qindarka. Turp!”, deklaroi ajo.
Pacientja tha se kishte paguar mijëra lekë për ilaçet, ndërsa rimbursimi që mori ishte minimal.
“I kam blerë 22 mijë lekë, sot i mora 21 mijë lekë e 14 qindarka. E kuptoni çfarë leverdie më ka bërë mua ai njeri? Të thërrasë mendjes sa më shpejt e të japë dorëheqjen dhe të çlirojë këtë popull dhe Shqipërinë! Dorëheqje!”, u shpreh ajo.
Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, në ditën e 39 të protestës qytetare, aktivisti Ilir Xhemalaj mbajti një fjalim të fortë, ku akuzoi qeverinë se ka humbur kontaktin me hallet reale të shqiptarëve, ndërsa shpenzon fondet e emergjencës për aktivitete që, sipas tij, nuk janë prioritet i vendit.
Ai e vuri theksin te varfëria, emigracioni dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë familjet shqiptare, duke e cilësuar të pajustifikueshëm përdorimin e fondeve publike për koncertin e Kanye West.
"Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. Më thoni, a ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj? Apo një i ri që detyrohet të largohet nga vendi për bukën e gojës? Apo një pensionist që duhet të zgjedhë mes bukës me djathë dhe ilaçeve të tij? Këtu lind pyetja, çfarë po i bën ky kryeministër këtij populli? Shqipëria kudo kërkon ndihmë, është derdhur në shesh!", tha Xhemalaj.
Sipas tij, protesta nuk është kundër muzikës apo organizimit të eventeve, por kundër mënyrës se si përdoren paratë e qytetarëve, ndërsa problemet sociale mbeten të pazgjidhura.
"Kryeministri zgjedh të marrë lekët e emergjencave dhe t'i japë për spektakël! Nuk duam të dimë sa ka kushtuar spektakli, por sa ka kushtuar humbja e shpresës së këtij brezi! Shteti është shtet kur asnjë nënë nuk qan për bukën e fëmijëve të saj, kur të rinjtë nuk braktisin vendin e tyre! Ne nuk protestojmë kundër muzikës, por për gjendjen ku ndodhet vendi! Kundër një pushteti që vjedh taksat tona për muzikë! Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur!", u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Xhemalaj deklaroi se prioriteti i një qeverie duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve dhe jo organizimi i spektakleve, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra.
"Prioritet i vendit tonë është që këta të rinj të mos largohen, që pensionistët të dalin të shijojnë jetën si çdo pensionist në botë. Kryeministër, jep dorëheqjen, sepse nuk përfaqëson më këtë popull! Rama, jep dorëheqjen!", përfundoi Xhemalaj mes duartrokitjeve të protestuesve.
Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 39, ndërsa dhjetëra qytetarë u mblodhën edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit marshuan drejt godinës së qeverisë, duke brohoritur "Shqipëri e Re", "Rama në burg, Berisha në burg", "Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar" dhe "Rama jep dorëheqjen".
Një nga organizatorët e protestës, aktivisti Edison Lika, deklaroi se tubimet do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit.
"Jemi në shesh më të vendosur se kurrë për të kërkuar dorëheqje. Protesta do të vazhdojë pavarësisht kushteve atmosferike. Më e rëndësishme për ne është Shqipëria. Këtu jemi në mbrojtje të Shqipërisë. Kryeministrit tonë i erdhi urgjenca për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e Kanye West. Kjo qeveri, që ka akuzuar protestuesit, fton një këngëtar që është i ndaluar në shumicën e vendeve të Europës", tha Lika.
Aktivisti krahasoi financimin e koncertit me mungesën e fondeve në raste fatkeqësish natyrore.
"Ky vend ka kaluar tërmete, përmbytje dhe zjarre masive dhe nuk i kemi pasur 4 milionë euro për t'ua dërguar njerëzve të prekur, por i gjejmë për një koncert që nuk i duhet askujt. Shumë nxënës po merren me zor që të shkojnë në koncert, është e turpshme. Jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë bojkotuar atë koncert. Rama dhe Partia Socialiste do ta mbushin me të njëjtët patronazhistë që mbushën Piazza Italia. Edhe këtë të shtunë do të jenë të detyruar të shkojnë. Kushdo që të jetë atje, le të këndojë himnin e shqiptarëve: 'Rama jep dorëheqjen'", u shpreh ai.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Protesta e 39-të kundër kryeministrit Edi Rama u shoqërua jo vetëm me thirrje dhe fjalime, por edhe me pankarta që tërhoqën vëmendjen për mesazhet e tyre kritike dhe ironike.
Gjatë marshimit nga sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë, protestuesit ekspozuan pankarta që synonin të ironizonin qeverinë dhe të shprehnin pakënaqësinë për situatën politike në vend.
Një prej pankartave theksonte se prej 39 ditësh qytetarët po kërkojnë përgjigje, ndërsa sipas protestuesve kanë marrë vetëm fyerje.
Një tjetër mesazh i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit, duke përcjellë idenë se vetëm burgu mund të sjellë reflektim, ndërsa një pankartë tjetër shprehte bindjen e protestuesve se pushteti nuk po dëgjon zërin e qytetarëve, pavarësisht protestave të përditshme.
Në protestë nuk munguan as mesazhet që vendosnin në të njëjtin plan figurat kryesore të politikës shqiptare, duke i cilësuar si pjesë të të njëjtit model qeverisës, si dhe pankarta me referenca ndaj debatit për financimin e koncertit të Kanye West, ku protestuesit ngrinin pyetje për përdorimin e fondeve publike.
Mes pankartave u vu re edhe një mesazh ironik, që vinte në kontrast akuzat e protestuesve për shpenzimin e miliona eurove me deklaratat e kryeministrit për "sorrat dhe korbat", duke e kthyer këtë shprehje në një nga simbolet e protestës së sotme.
Protestuesit deklarojnë se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, derisa të ketë reagim ndaj kërkesave që kanë ngritur prej më shumë se një muaji.









Një protestuese kritikoi mënyrën se si po përdoren fondet publike. Ajo theksoi se paratë e destinuara për koncertin e artistit Kanye West duhej të investoheshin në sektorë më të rëndësishëm, si shëndetësia dhe arsimi.
Sipas saj, fondet duhet të shërbejnë për situata emergjente dhe jo për organizimin e eventeve.
"Këto mund të investoheshin në spitale dhe arsim. Janë fonde emergjente. Në rast emergjence çfarë do ndodhë, do vijë Kanye?! Nuk ka asnjë lloj mundësie", u shpreh protestuesja.
Në vijim të fjalës së saj, protestuesja foli edhe për zgjedhjen për të qëndruar në Shqipëri, duke theksuar se dëshiron të kontribuojë në vend.
"Kam kryer studimet e larta, mundohem të kontribuoj në shtetin tim, nuk kam pse të largohem", tha qytetarja.

Në Tiranë po mbahet protesta e 39-ë e qytetarëve, kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike në vend. Ndërkohë që para nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë, një nga organizatorët, Arben Kola deklaroi se Edi Rama duhet të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë ditën e nesërme, në ditën e 40-të të protestës.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga qytetarët që të bojkotojnë koncertin e këngëtarit Kannye West, që do të zhvillohet pas disa ditësh në Tiranë.
“Vazhdoni të prishni algoritmin dhe bojkotoni Kannye West bashkë me Ramoviçin, i cili është çmendur dhe shpresojmë që shumë shpejtë të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë dhe Shqipëria të shpëtojë. Mbase nesër që janë të 40-at ja hamë edhe hallvën dhe të shpëtojmë. Mbase nesër vendos të hidhet ose nga charteri që po vjen nga Turqia, ose nga tarraca e Kryeministrisë.
E mira e të mirave ishte siç e bëjnë në shtetet perëndimore ose në Indi, ku digjet trupi dhe hirin t’ja dërgojnë diku, në një kontinent tjetër. Që mos ta kemi hirin e tij, kockat e tij në tokën tonë. Një djall si Rama nuk i duhet vendit tonë as mbi tokë e as nën tokë”, tha organizatori Arben Kola.

Të pajisur me pankarta dhe flamuj, ata kanë përsëritur thirrjet "Rama dorëhiqu", "Shqipëria është e rinisë, jo e partisë", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi"...
Ka nisur dita e 39-të e protestës qytetare e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit të zakonshëm në Sheshin Skënderbej, qindra qytetarë kanë marshuar në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës kundër qeverisë.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj, ata kanë përsëritur thirrjet "Rama dorëhiqu", "Shqipëria është e rinisë, jo e partisë", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Protestës i janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, nga të rinjtë deri te familjarët me fëmijë. Pavarësisht se gjatë ditëve të fundit disa pjesëmarrës janë shoqëruar dhe arrestuar nga Policia, e më pas janë lënë të lirë, organizatorët thonë se kjo nuk ka ndikuar në vijimin e protestës, e cila prej 39 ditësh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë.
Edhe pse protesta nisi më shumë se një muaj më parë si një revoltë kundër projektit turistik në Zvërnec, ajo është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë klasës së vjetër politike. Organizatorët dhe pjesëmarrësit këmbëngulin se protesta nuk është më vetëm kundër një projekti të caktuar, por për ndryshimin e sistemit politik në vend.
Gjithashtu, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.

Një qytetare që mori fjalën në protestën e 39-të kundër kryeministrit Edi Rama iu përgjigj deklaratave të kreut të qeverisë. Ky i fundit, më herët i cilësoi protestuesit si "korba e sorra të bulevardit".
Në fjalën e saj, ajo hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kabinetit qeveritar.
“Sorrat dhe korbat i ka në kabinetin e vet, në Kryeministri. Gjysmën i ka në burg, gjysmën tjetër aty, kurse oligarkët i ka te kazinoja e Olsi Ramës në Amerikë”, tha protestuesja.
Ajo vijoi me akuzat ndaj qeverisë dhe institucioneve, teksa foli edhe për sistemin bankar, pronat dhe korrupsionin.
“Nuk keni parë gjë akoma. Bankat po bëjnë pastrim parash. Floriri u vodh, bankat po vidhen nga Linda Rama. Pasuria e kombit u vodh. Me çfarë do të jetojë kjo rini?”, u shpreh qytetarja.
Ajo u ndal edhe te çështja e pronave, duke theksuar se është dëmtuar nga vendimet e marra ndër vite.
“Unë jam 70 vjeçe, s’kam nevojë më për asgjë. Pronat m’i vodhën në Divjakë. Himarën e privatizoi Rama, kurse Divjakën e privatizoi Argita Berisha me Lulzim Bashën, me 1 euro metri katror. Ku jam unë si pronare?”, tha qytetarja.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja bëri thirrje për vijimin e protestave dhe përdori një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit.
“Ky, Rama, do të shkojë te sorrat, ndërsa ne këtu do të mblidhemi, të gjitha gratë, të rrethojmë Kryeministrinë. Gjakderdhje të bëhet, vetëm ai të qërohet. Kam 35 vite që vuajmë me këtë sistem të korruptuar”, përfundoi ajo.

Ashtu si çdo ditë, edhe këtë të mërkurë qytetarët janë grumbulluar në sheshin "Skënderbej", në ditën e 39-të të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Me flamuj kombëtarë në duar, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalimet e përnatshme. Më pas, ata pritet të vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, në shenjë revolte ndaj klasës politike dhe qeverisë Rama.
Prej më shumë se një muaji, protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e modelit politik, që sipas tyre ka mbajtur peng zhvillimin e vendit.
Edhe në protestën e djeshme, pjesëmarrësit përsëritën kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që favorizojnë interesat klienteliste.
Protesta e sotme shënon ditën e 39-të radhazi të tubimeve, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Një pensionist ka protestuar në një mënyrë të veçantë, duke i dhënë “kartonin e kuq” kryeministrit Rama si një shenjë për t’u larguar.
“Protestojmë për një mijë e një të zezat e Ramës. Kemi vendos me i dhënë një karton të kuq Edi Ramës. Është i përjashtuar për mos me luajtur më kurrë më për Shqipërinë. Është i dënuar prej popullit shqiptar, prej Europës dhe gjithë botës. Zbatoni ligjin e kartonit të kuq, ta vëmë në jetë. Pensionistët shqiptarë janë të lodhur. Janë edhe të frikësuar. Paratë e pensionit nuk na dalin as për ilaçe”, u shpreh qytetari.
Prej më shumë se një muaji, shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe fundin e modelit politik që ka mbajtur peng vendin.
Lini një Përgjigje