Temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim. Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim urgjent virtual me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe përgatitjet për atë që pritet të vijë.
Në një deklaratë, Kluge tha se vendet që kanë hartuar plane veprimi për mbrojtjen e shëndetit gjatë periudhave me temperatura ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbronin më mirë popullsinë gjatë valës së të nxehtit në muajin qershor. Megjithatë, ai theksoi se më pak se gjysma e vendeve anëtare të OBSH-së në Evropë kanë aktualisht një plan të tillë.
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit që përfshiu Evropën nga 20 deri më 28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në kontinent. Ajo shkaktoi ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtime në infrastrukturë dhe mbingarkesë të sistemeve të kujdesit shëndetësor.
Shkencëtarët vlerësojnë se temperaturat ekstreme ishin pothuajse me siguri pasojë e ndryshimeve klimatike. Franca, Holanda dhe Belgjika regjistruan rreth 3.700 vdekje shtesë gjatë kësaj periudhe, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bëhet fjalë për të dhëna paraprake, të cilat mund të rriten.
Gjatë valës së të nxehtit, temperaturat në disa zona të Evropës arritën deri në 40 gradë Celsius. Kluge theksoi se banorët e azileve, personat e pastrehë dhe të moshuarit që jetojnë të izoluar vazhdojnë të mos përfitojnë në mënyrë të qëndrueshme nga masat mbrojtëse në të gjithë Evropën.
“Puna tani zhvillohet në dy drejtime: të korrigjohen mangësitë e evidentuara gjatë javëve të fundit përpara se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe të ndërtohen sisteme shëndetësore që jo vetëm t'i përgjigjen temperaturave ekstreme, por të jenë të përgatitura për to”, tha Kluge.
Lini një Përgjigje