TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 18:07

Çfarë fshihet pas vrasjes së gruas që kreu sulmin në Monako? Në lojë shërbimi sekret ukrainas, 2 të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë fshihet pas vrasjes së gruas që kreu sulmin në
Anastasia Berezovska

Nga e kërkuar ndërkombëtarisht në viktimë: Çfarë ndodhi me të dyshuarën për sulmin në Monako

Kanë dalë në dritë detaje të reja mbi vdekjen e Anastasia Berezovskës, gruas që konsiderohej e dyshuara kryesore për sulmin me pako-bombë në Monako, ku mbetën të plagosur një multimiliarder ukrainas nën sanksione dhe anëtarë të familjes së tij.

39-vjeçarja ukrainase u gjet e vdekur me plagë nga armë zjarri në kokë, ndërsa Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi se dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e saj.

Sipas SBU-së, Berezovska u kthye në Ukrainë më 1 korrik, vetëm dy ditë pas shpërthimit në Monako. Atje ajo dyshohet se u takua me familjarët, por edhe me dy burra: një ish-polic dhe një oficer në detyrë i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Fillimisht, të dy u hetuan si bashkëpunëtorë të mundshëm në sulmin në Monako, pasi autoritetet zbuluan se kishin kryer disa transferta parash drejt llogarive bankare dhe portofolëve të kriptomonedhave të Berezovskës.

Më pas, sipas autoriteteve ukrainase, oficeri i shërbimeve të inteligjencës pranoi se kishte marrë pjesë në vrasjen e saj së bashku me një person tjetër.

Zbulohet një dhomë që ngjante me "dhomë torturash"

Hetimet morën një kthesë edhe më të rëndë gjatë kontrollit në banesën e ish-policit, ku autoritetet zbuluan një hapësirë nëntokësore që, sipas SBU-së, "ngjante me një dhomë torturash".

Të dy të arrestuarit janë vendosur në paraburgim dhe hetohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Hetimet vijojnë.

Çfarë dihet për sulmin në Monako

Zëvendësprokurori i Monakos, Morgan Raymond, deklaroi se Berezovska kishte kaluar disa ditë duke vëzhguar objektivin dhe se ditën e sulmit ishte maskuar si burrë.

Autoritetet besonin fillimisht se ajo ishte larguar nga Monako me një makinë me qira drejt Italisë dhe më pas në Gjermani. Të enjten, forcat speciale gjermane kontrolluan një apartament në landin e Hessenit, të marrë me qira nga një 39-vjeçare ukrainase, për të cilën policia besonte se ishte në arrati.

Të premten, Interpol lëshoi një njoftim të kuq ndaj Berezovskës, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje, vendosje të një mjeti shpërthyes në një hapësirë publike me qëllim kriminal dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

ukraine monako

Lini një Përgjigje