Farage njihet për qëndrimet e tij kundër emigracionit dhe për deklaratat kritike ndaj emigrantëve, përfshirë edhe shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar
Nigel Farage ka njoftuar dorëheqjen nga mandati si deputet i Clacton, duke shkaktuar zgjedhje të pjesshme në zonën zgjedhore, ku ka deklaruar se do të kandidojë sërish.
Në një deklaratë publike, Farage tha se dëshiron që "banorët e Clacton të jenë gjykatësit e veprimeve të mia", duke e cilësuar votimin e ardhshëm si një përballje mes "popullit dhe establishmentit".
Farage njihet për qëndrimet e tij kundër emigracionit dhe për deklaratat kritike ndaj emigrantëve, përfshirë edhe shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Njoftimi vjen në kohën kur Farage është nën hetim nga Komisioneri Parlamentar për Standardet lidhur me një dhuratë prej 5 milionë paundësh nga biznesmeni Christopher Harborne. Farage mohoi çdo shkelje, duke deklaruar se nuk ka bërë "asgjë të gabuar" dhe se nuk ka shkelur ligjin.
Ai gjithashtu hodhi poshtë raportimet e publikuara nga The Sunday Times, duke i cilësuar ato "krejtësisht të pasakta". Sipas Farage, fondet e dhuruara do të përdoren për financimin e masave të sigurisë personale, duke argumentuar se ai ka qenë një nga politikanët më të sulmuar fizikisht dhe verbalisht në Britani.
Sipas rregullave të Parlamentit britanik, nëse Farage rizgjidhet në zgjedhjet e pjesshme, hetimi ndaj tij do të rifillojë. Prandaj, dorëheqja nuk e ndërpret procesin hetimor, por i jep mundësi politikanit të kërkojë një mandat të ri direkt nga elektorati.
Analistët politikë e cilësojnë vendimin si një lëvizje me peshë politike, e cila synon ta paraqesë çështjen si një përballje mes votuesve dhe institucioneve të Westminsterit.
Farage u zgjodh për herë të parë deputet i Clacton në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, pas disa përpjekjeve të mëparshme të pasuksesshme.
Lini një Përgjigje