
Vendimi i Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ka nxitur reagime të shumta.
Bedri Hamza, i cili drejton partinë që fillimisht është udhëhequr nga Thaçi e më pas nga Veseli, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Thaçin, nga i cili ka përcjellë një mesazh për qytetarët e Kosovës.
“Presidenti Hashim Thaçi më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve. Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka treguar kryetari i Partisë Demokratike, pas bisedës telefonike me Thaçin.
Hamza ka thënë se shtyrja e vendimit e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.
“Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet. Presidentit ia përcolla përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe ata do të kthehen të lirë në shtëpi”, ka shkruar Hamza.
Një ditë më parë, Gjykata Speciale ka caktuar orën 10:00 të 16 shtatorit, për ta shpallur aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
“Në urdhrin për caktimin e datës, trupi gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në vendimin e Speciales.
Fillimisht, trupi gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik. Po ashtu, e la mundësinë e shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit edhe përtej kësaj date. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e ka konsideruar të padrejtë dhe të papranueshëm vendimin për shtyrjen e kohës së shpalljes së aktgjykimit.
“Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia. Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX-i, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë”, thuhet në reagim.
Në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është paralajmëruar edhe protestë.
“Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”, thuhet në reagim.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë prej më shumë se 5 vjetësh. Prokuroria i ka akuzuar se, si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, synonin marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe eliminimit të kundërshtarëve. Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Në përfundim të procesit, prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.
Por, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi e Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi kanë kërkuar lirimin, dhe i kanë mohuar akuzat.
Avokati Artan Qerkini ka theksuar se procesi në Hagë është shoqëruar me një sërë shqetësimesh procedurale.
“Një nga çështjet kryesore mbetet shkelja e të drejtës së të pandehurve për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm. Po ashtu, është kritikuar edhe kohëzgjatja e paraburgimit, si dhe fakti që disa materiale hetimore u janë dërguar të pandehurve në gjuhën angleze, pa përkthim të plotë në gjuhët e tyre”, ka thënë Qerkini.
Gjatë procesit në Hagë, në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark. Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.
Dy profesorë e njohës të zhvillimeve në Kosovë e Ballkan, Daniel Serwer e Edward Joseph, kanë pasur mendime të ndryshme për vendimin e së mërkurës të Gjykatës Speciale. Serwer ka thënë se kjo mund të jetë sinjal se gjyqtarët kanë vështirësi për ta marrë vendimin.
“Nuk e di saktësisht si ta interpretoj këtë. Sa më shumë që zgjat, në një farë mënyre aq më mirë është sepse është një shenjë e qartë se ata po hasin në vështirësi për të marrë një vendim. Siç e dini, unë nuk jam i kënaqur me këtë gjykatë dhe mendoj se ajo ka vepruar padrejtësisht duke i mbajtur këta njerëz në burg për pesë vjet. Dhe mendoj se është gabim që është ndryshuar fokusi i gjykatës, e cila duhej të merrej me pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh”, ka thënë Serwer.
E, Joseph ka theksuar se është jashtëzakonisht zhgënjyese që Specialja ka vendosur ta shtyjë kohën e aktgjykimit.
“Mendoj se kjo pasqyron dhe ngre pyetje shtesë për kompetencën e këtyre Dhomave të Specializuara, të cilat kanë marrë kaq shumë kohë dhe i kanë mbajtur këta individë për një periudhë kaq të gjatë, dhe fakti që e shtyjnë këtë vendim mendoj se reflekton shumë keq mbi Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025. E, deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 9 deri në 18 shkurt 2026. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë.
Lini një Përgjigje