TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 23:57

Protestuesit bllokojnë Komisariatin nr.3: Nuk ikim pa liruar shokët tanë

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit bllokojnë Komisariatin nr.3: Nuk ikim pa liruar shokët
Vijon protesta

Tubimi është zhvendosur para komisariatit, ku mbahen disa nga qytetarët e arrestuar pas përplasjeve të paradites para Kuvendit

Me qindra protestues vijojnë të qëndrojnë të grumbulluar mbrëmjen e sotme përpara Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku po kërkojnë lirimin e qytetarëve të arrestuar gjatë protestës së paradites para Kuvendit.

Pas marshimit nga Kryeministria drejt komisariatit, turma nuk është shpërndarë. Protestuesit kanë vijuar me thirrjet "Lironi çunat", "Ju erdhi fundi", "Rama jep dorëheqjen" dhe "Rama në burg, Berisha në burg", ndërsa kërkojnë lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta nuk do të përfundojë me marshimin e mbrëmjes, por do të vijojë përpara Komisariatit nr. 3 derisa qytetarët e ndaluar të lirohen.

Sipas tyre, arrestimet e kryera pas përplasjeve të paradites ishin të pajustifikuara, ndërsa protestuesit pretendojnë se policia përdori forcë, gaz lotsjellës dhe spray me piper ndaj qytetarëve.

Ndërkohë, atmosfera para komisariatit mbetet e tensionuar, me protestuesit që vijojnë të brohorasin në mbështetje të të arrestuarve dhe të kërkojnë lirimin e tyre, duke bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të largohen derisa ata të dalin nga ambientet e policisë.

 

protesta

Lini një Përgjigje