Kilian Mbape ka qenë prej vitesh figura kryesore e përfaqësueses së Francës. Pas Kupës së Botës në Katar, ai mori rolin e liderit absolut të "Bluve" dhe për katër vitet e fundit ka mbajtur mbi supe peshën e skuadrës. Megjithatë, në Botërorin e Amerikës së Veriut, kapiteni francez po shfaq një version ndryshe të vetes.
Sulmuesi duket më i çliruar dhe më pak i ngarkuar nga përgjegjësia për të zgjidhur gjithçka i vetëm. Kjo qasje e re po reflektohet drejtpërdrejt edhe në paraqitjet e tij, duke rikthyer një nga versionet më të mira të Mbape-së, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Kur ndihet mirë dhe luan pa presion të tepërt, rendimenti i tij rritet ndjeshëm. Në këtë Botëror, objektivat e sulmuesit janë të qarta: fitimi i titullit të tretë botëror me Francën, triumfi për "Këpucën e Artë" të turneut dhe vendosja si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës. Deri tani, Mbape ka realizuar gjashtë gola dhe ka dhënë dy asistime, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme.
Megjithatë, ndikimi i tij nuk kufizohet vetëm te statistikat. Sipas raportimit të “RMC Sport”, që në fillim të grumbullimit për Botërorin, Mbape u dhuroi të gjithë shokëve të skuadrës nga një palë kufje zyrtare të kompeticionit. Edhe pse një gjest simbolik, ai u vlerësua nga grupi dhe kontribuoi në forcimin e atmosferës pozitive brenda ekipit.
Burime pranë kombëtares franceze bëjnë të ditur se kapiteni ka qenë vazhdimisht i angazhuar për të mbështetur lojtarët më të rinj, duke ndjekur nga afër gjendjen e tyre emocionale dhe nivelin e presionit. Për shumë prej debutuesve, Mbape është shndërruar në një pikë referimi dhe një lider shpirtëror.
Ky karakter u pa qartë edhe në ndeshjen ndaj Suedisë. Pas golit të parë, Mbape vrapoi menjëherë për të përqafuar trajnerin Didier Deshamp, i cili pak ditë më parë kishte humbur nënën e tij. Marrëdhënia e ngushtë mes trajnerit dhe sulmuesit, e ndërtuar mbi respekt dhe vlerësim të ndërsjellë, po krijon një ambient që e ndihmon kapitenin francez të japë maksimumin në fushë.
Në këtë Botëror, Mbape nuk po udhëheq Francën vetëm me golat e tij, por edhe me shembullin dhe ndikimin pozitiv që ushtron mbi të gjithë skuadrën.
Lini një Përgjigje