Leçe duket se është gati të shtojë edhe një tjetër futbollist shqiptar në organikën e saj. Pas Ylber Ramadanit dhe Medon Berishës, klubi italian i Serisë A ka rikthyer vëmendjen tek Arbër Hoxha, me synimin për të forcuar repartin ofensiv për sezonin e ri.
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Leçes po monitorojnë nga afër situatën e anësorit të Kombëtares shqiptare, i cili aktivizohet me Dinamon e Zagrebit. Emri i Hoxhës ishte diskutuar edhe gjatë merkatos së janarit, por në atë periudhë klubi vendosi të mos ndërmerrte hapa konkretë për transferimin e tij.
Interesimi është rikthyer në prag të sezonit të ri, teksa Leçe synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit italian edhe për një tjetër edicion.
Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, kartoni i 27-vjeçarit vlerësohet rreth 3 milionë euro. Megjithatë, mbetet për t'u parë se cili do të jetë çmimi që do të kërkojë Dinamo e Zagrebit për ta lënë të lirë sulmuesin shqiptar, të cilin e transferoi në janar të vitit 2024 nga Slaven Belupo për rreth 1 milion euro.
Lini një Përgjigje