Ikona e kinemasë italiane, Sophia Loren, nuk lejoi kurrë që kritikat për pamjen e saj t'i diktonin zgjedhjet. Edhe kur sugjerimi për të bërë një operacion estetik erdhi nga producenti i saj Carlo Ponti, i cili më vonë u bë bashkëshorti i aktores, përgjigjja e Loren ishte e qartë dhe e vendosur.
Në një intervistë të vitit 1979, Sophia tregoi se në fillimet e karrierës shumë njerëz i sugjeronin të zvogëlonte hundën, duke besuar se kjo do t'i hapte më shumë dyer në industrinë e filmit.
"Kur bashkëshorti im më tha se ndoshta duhet ta shkurtoja pak hundën, unë i thashë: 'Nuk mendoj kështu. Dua ta mbaj hundën time, sepse më pëlqen ashtu siç dukem. Mendoj se ti duhet të ndryshosh operatorin e kamerës. Nëse e ndryshon atë, ndoshta do të kem më shumë mundësi në filma. Përndryshe, ose do të më duhej të ndryshoja krejtësisht veten, ose nuk do të isha fare pjesë e filmave, sepse më pëlqen pamja ime. Nuk kam asnjë kompleks për hundën time'", kujtoi aktorja.
Ajo e mbylli rrëfimin me një fjali që u kthye në simbol të vetëbesimit të saj: "Dhe nuk e bëra. Ja ku jam sot, ende me hundën time."
Të njëjtin qëndrim Sophia Loren e përsëriti edhe në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2014, ku foli për komentet që kishte marrë ndër vite lidhur me pamjen e saj.
"Gjithmonë jam përpjekur të mos i dëgjoj njerëzit. Më thoshin se e kisha hundën shumë të gjatë dhe gojën shumë të madhe. Por kjo nuk më prekte aspak. Kur besoj në diçka, për mua është si një luftë. Është një betejë", u shpreh ajo.
Aktorja zbuloi se edhe Carlo Ponti ishte ndikuar nga opinionet e të tjerëve.
"Edhe Carlo më tha një herë: Operatorët e kamerës thonë se e ke hundën shumë të gjatë. Ndoshta duhet të bësh një ndërhyrje të vogël'. Unë iu përgjigja: 'Dëgjo, nuk dua të ndryshoj asgjë në fytyrën time, sepse e dua fytyrën time. Nëse duhet ta ndryshoj hundën, atëherë do të kthehem në Pozzuoli'", rrëfeu Sophia Loren.
Historia e saj mbetet një shembull i rrallë i vetëbesimit dhe pranimit të vetes në një industri ku standardet e bukurisë kanë ushtruar gjithmonë presion të madh mbi artistët.
Lini një Përgjigje