
Rusia ka ndryshuar llojin e dronëve që përdor në sulmet ndaj Ukrainës, duke shtuar përdorimin e dronëve me motor reaktiv, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore, koloneli Yurii Ihnat, deklaroi për transmetuesin ukrainas Channel 5 se këta dronë janë dukshëm më të shpejtë se dronët Shahed që Rusia ka përdorur gjerësisht deri më tani.
Sipas Ihnat, shpejtësia e tyre i bën ata të papërballueshëm për dronët interceptorë, të cilët kanë një shpejtësi maksimale prej rreth 300 km/orë.
"Këto dronë nuk janë më brenda mundësive të dronëve interceptorë. Kjo do të thotë se grupet e lëvizshme të zjarrit dhe interceptorët anti-dronë nuk mund të mbështeten më. Duhet të përdoren raketa dhe kjo është ajo që po bëjnë Forcat Ajrore dhe njësitë e tjera të forcave mbrojtëse", tha Ihnat, sipas gazetës ukrainase Pravda.
Megjithatë, ai theksoi se Ukraina vazhdon të ruajë një nivel të lartë të përgjimeve të mjeteve ajrore ruse, edhe pse dronët me motor reaktiv përbëjnë një sfidë të re për mbrojtjen ajrore.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia po mbështetet gjithnjë e më shumë te sulmet ajrore gjatë natës, ndërsa përpiqet të ushtrojë presion mbi Ukrainën dhe të avancojë në vijën e frontit.
Lini një Përgjigje