TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 15:07

Afera me inceneratorin e Tiranës, SPAK dërgon për gjykim Zoton, Mërtirin dhe 10 persona të tjerë; pastruan 30 mln euro

Shkruar nga Pamfleti
Afera me inceneratorin e Tiranës, SPAK dërgon për gjykim Zoton,
Foto ilustruese

SPAK: Mërtiri dhe Zoto drejtonin grupin kriminal të inceneratorit të Tiranës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen që lidhet me inceneratorin e Tiranës, duke akuzuar 12 persona dhe dy kompani për një skemë të dyshuar mashtrimi, pastrimi parash dhe korrupsioni.

Sipas SPAK, në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët akuzohen se kanë organizuar një skemë për përfitimin dhe pastrimin e të ardhurave të siguruara nga kontrata koncesionare e inceneratorit të Tiranës.

Përveç Mërtirit dhe Zotos, në gjykim janë dërguar edhe Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja, si dhe shtetasit e huaj Giuseppe Ciaffaglione, Marc Richard Lappat dhe Michael Peter Druijts. Gjithashtu, SPAK ka dërguar për gjykim edhe kompanitë "Integrated Energy BV SPV" dhe "Integrated Technology Services".

Sipas organit të akuzës, grupi kriminal ka pastruar rreth 30 milionë euro përmes faturave të konsideruara fiktive, të lëshuara nga shoqëria koncesionare "Integrated Energy BV SPV", e cila kishte lidhur kontratën për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë.

SPAK thotë se aktiviteti i dyshuar kriminal ka nisur që në momentin e lidhjes së kontratës koncesionare, më 31 gusht 2017, dhe ka vijuar deri në vendosjen e sekuestros preventive në vitin 2023.

Sipas hetimeve, kontrata koncesionare kishte një vlerë investimi prej 128.2 milionë euro, pa TVSH. Megjithatë, nga analiza e prokurorisë rezulton se deri në vitin 2023 shoqëria koncesionare kishte arkëtuar mbi 11.3 miliardë lekë, ndërsa investimet reale për ndërtimin e objektit kanë qenë vetëm 21 milionë euro.

Organi i akuzës pretendon se Mërtiri dhe Zoto, të konsideruar si pronarët "de facto" të kompanisë koncesionare, kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma të mëdha monetare, duke përdorur një mekanizëm të faturave fiktive, kompani offshore dhe transferime cash. Sipas SPAK, përmes kësaj skeme janë nxjerrë nga kompania mbi 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro.

Në dosje thuhet se gjatë procedurës koncesionare janë konstatuar edhe shkelje nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit të asaj kohe, të cilat, sipas SPAK, kanë favorizuar shpalljen fituese të kompanisë "Integrated Energy BV SPV". Për këtë çështje, ish-ministri Lefter Koka, ish-sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako dhe disa ish-zyrtarë të tjerë janë gjykuar më herët në procedime të ndara, të përfunduara me vendime të formës së prerë.

Në korrik të vitit 2023, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos, si dhe të kompanive "Integrated Energy BV SPV", "Integrated Technology Services" dhe "F.M.O".

SPAK bën me dije se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për të identifikuar persona të tjerë përgjegjë

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.255 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

Mirel Mërtiri, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim” me pasoja të rënda”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/1 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Klodian Zoto, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëvë të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Mashtrim” me pasoja të rënda”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 245, 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/1 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Dashamir Ymeraj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim” me pasoja të rënda, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Arjola Kodra, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” që ka sjellë pasoja të rënda, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet186/2, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Giuseppe Ciaffaglione, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Denisa Tollkuçi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Elton Bualli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Endrit Habilaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Renardo Nallbani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal,

Marc Richard Lappat, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Michael Peter Drujits, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ilir Dedja, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Personi juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3, 25 i Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Personi juridik “Integrated Technology Service” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal “Mashtrim” me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3, 25 i Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Skema

Nga provat e administruara në lidhje me procedurën koncesionare të zhvilluar nga Ministria e Mjedisit me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare, në vlerën 128,248,330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH, është shpallur fitues shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Gjatë procedurës koncesionare janë konstatuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor, ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ish Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe të personave përgjegjës të tjerë, shtetasve Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku në sajë të veprimeve të tyre në kundërshtim me detyrën është shpallur fitues në këtë procedurë koncesionare, shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se në zbatim të kontratës koncesionare  të lidhur në datën 31.8.2017, nga momenti i lidhjes së kontratës deri në vitin 2023,që përkon me kohën e vendosjes së sekuestros preventive, nga ana e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., janë siguruar të ardhura në vlerën 11,319,754,405 lekë, ndërsa është investuar për ndërtimin e objektit, vetëm vlera 21,017,157 Euro.

Nga hetimi ka rezultuar se pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt vlera të mëdha monetare të siguruar nga zbatimi i kontratës koncesionare, duke mos bërë investime për realizimin e veprës, objekt të kësaj kontrate.

Të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në vlera cash, në shumën 1,283,390,609 lekë dhe 16,669,506 Euro.

Nga hetimi është evidentuar fakti se për të arritur qëllimin kriminal të pastrimit të parave, si produkte të veprës penale të mashtrimit, të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë vepruar në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me shtetasit shqiptar, të pandehurit Denisa Tollkuçi, Arjola Kodra, Dashamir Ymeraj, Renardo Nallbani, Endrit Habilaj, Elton Bualli, Ilir Dedja, si dhe shtetasit e huaj, të pandehurit; Marc Lappat, Michael Peter Druijts, Giuseppe Ciafaglione.

Siç është bërë me dije në njoftimet e mëparshme, janë dërguar për gjykim në kuadër të procedimit penal të ndarë, nr.255/1 dhe nr.255/2, shtetasit Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku,Jetmir Llapaj, të cilët janë gjykuar me vendim gjyqësorë të formës së prerë.

Me vendimin nr..95, datë 28.7.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”,  mbi pasuritë e të pandehurve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, personat juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k., “Integrated Technology Services” sh.p.k., “F.M.O” sh.p.k.

Hetimet vijojnë në procedimin penal të ndarë, me nr.255/3, për të evidentuar çdo fakt tjetër penal dhe personat përgjegës të cilët kanë kryer veprime gjatë procedurës së dhënies së koncesionit dhe në fazën e zbatimit të kontratës koncesionare. /Pamfleti

spak inceneratori

Lini një Përgjigje