TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Korrik 2026, 18:45

Serbia, lobimi dhe politika!

Shkruar nga Ana Curic
Serbia, lobimi dhe politika!
Aleksandër Vuçiç

Udhëheqja e Beogradit po rrit shpenzimet për të paguar lobistë të fuqishëm të lidhur me Donald Trump-in, me shpresën e përmirësimit të imazhit të vendit në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, sanksionet e fundit ekonomike dhe tarifat e ashpra të Uashingtonit kanë goditur rëndë shpresat e Serbisë për një trajtim të privilegjuar gjeopolitik.

Sipas zbulimeve të fundit të BIRN, që nga korriku i vitit 2023 Serbia ka shpenzuar plot 3.2 milionë dollarë për aktivitete lobimi në Uashington. Gati gjysma e kësaj shume u shpenzuar 12 muajt e fundit, pikërisht pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Aktualisht, Beogradi po paguan 3 kompani lobimi amerikane, dy prej të cilave drejtohen nga ish-këshilltarë të afërt të Trump-it: Valcour e Matt Mowers (ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë në Departamentin e Shtetit) dhe BGR Governmental Affairs, e udhëhequr nga David Urban (ish-këshilltar i Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016).

Bazuar në të dhënat e organizatës prestigjioze amerikane Open Secrets, BGR Governmental Affairs është një nga 4 kompanitë e lobimit që kanë regjistruar rritjen më të madhe të xhiros që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump-it, me një rritje prej 59 për qind midis viteve 2024-2025, duke kapur vlerën rekord 71.5 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, qeveria serbe angazhoi kompaninë Valcour vitin e kaluar, specifikisht për të promovuar “EXPO 2027”, panairin e madh ndërkombëtar tregtar që pritet të mbahet në Beograd.

Me rikthimin e Trump-it në pushtet, Serbia ndryshoi rrënjësisht strategjinë. Në vend që të tentonte të bindte organizatat për të drejtat e njeriut si Freedom House apo mediat kryesore liberale amerikane, ajo po kërkon tani kontakte direkte me zyrtarët e administratës së re dhe me mediat me ndikim të krahut të djathtë.
Dimitrije Milić, drejtor programi në institutin e kërkimit Novi Treći Put (Rruga e Re e Tretë) dhe CEO i kompanisë konsulente “Lidington Research” me seli në Beograd, nënvizon se vetëm paratë e lobimit nuk do të mjaftojnë për të larë imazhin e Serbisë në SHBA.

“Për shkak të trashëgimisë së errët të viteve 1990, Serbia përballet me një mungesë kronike besimi nga establishmenti amerikan. Aktivitetet e lobimit nuk mjaftojnë për të fituar besimin e vendimmarrësve politikë dhe grupeve kyçe të interesit në Shtetet e Bashkuara”- sqaron Milić.

Promovimi i “EXPO 2027” dhe sanksionet e papritura

Në korrik 2023, gjatë presidencës së Joe Biden-it, Serbia nënshkroi dy marrëveshje lobimi me kompanitë KARV Communications dhe BGR Governmental Affairs.
Milić shpjegon se kjo strategji “proaktive” erdhi në një moment polarizimi të lartë gjeopolitik pas pushtimit rus në Ukrainë, gjë që krijoi “një kontekst ndërkombëtar veçanërisht të pafavorshëm për politikën tradicionale serbe të neutralitetit”.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, dëshmojnë se KARV ka marrë rreth 1.6 milionë dollarë, ndërsa BGR Governmental Affairs 1.4 milionë dollarë nga buxheti i shtetit serb.
Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2025, këto dy kompani kanë arkëtuar 1.1 milionë dollarë. Për më tepër, në përpjekje për të rritur profilin e “EXPO 2027”, Serbia i pagoi vitin e kaluar kompanisë Valcour edhe 195.000 dollarë të tjerë.

Presidenti serb Aleksandar Vučić dhe partia në pushtet (Partia Progresiste Serbe - SNS), kanë investuar një kapital të jashtëzakonshëm politik për të garantuar suksesin e këtij panairi. Në mesin e vitit 2025, qeveria në Beograd nënshkroi marrëveshje me 4 kompani vendase marketingu me një vlerë të përgjithshme prej 15.5 milionë eurosh.

Megjithatë, kritikët dhe opozita në Beograd e kanë akuzuar ashpër udhëheqjen serbe për anashkalim të procedurave të rregullta të prokurimit publik dhe për ndryshimin e ligjeve me qëllim që të favorizohen miqtë e pushtetit në projektin EXPO.

Por goditja më e rëndë erdhi aty ku nuk pritej. Pas rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, SHBA-ja vendosi tarifa prej 35 për qind mbi importet nga Serbia dhe sanksione të ashpra ndaj kompanisë serbe të naftës NIS (e cila kontrollohet në masën 45 për qind nga gjiganti shtetëror rus Gazprom Neft).
Këto masa i shkatërruan plotësisht shpresat e Beogradit për të përfituar nga qasja pragmatike apo “transaksionale” e Trump-it në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas Milić-it, Serbia shpresonte se gatishmëria e Trump-it për të biseduar me Vladimir Putinin, do të sillte një shkrirje të marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha, gjë që do të ulte presionin ndaj Serbisë për të zgjedhur përfundimisht mes Lindjes dhe Perëndimit. “Por kjo shpresë doli krejtësisht e kotë”, thotë ai.

Fushata në mediat e djathta dhe mohimi i “armëve sonike”

Në të njëjtën kohë, Serbia ka siguruar mbështetjen e Matt Mowers, i cili në faqen zyrtare të kompanisë Valcour cilësohet si një nga “mbledhësit më të mirë të fondeve” për komitetin e inaugurimit Trump-Vance.
Sipas raporteve të dorëzuara në autoritetet amerikane, gjatë vitit 2025 KARV Communications dhe BGR Governmental Affairs organizuan takime të shumta mes zyrtarëve serbë e amerikanë, shpërndanë materiale për shtypin dhe tentuan të siguronin intervista në televizionet kryesore për liderët serbë.

Në vitin 2023, gjatë administratës Biden, KARV Communications u përpoq të organizonte një takim mes qeverisë serbe dhe Freedom House, organizatës ndërkombëtare që monitoron gjendjen e demokracisë në botë.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse ky takim u realizua ndonjëherë. Në raportin e saj të marsit 2023, Freedom House nënvizonte se partia e Vucic (SNS) ka “dobësuar sistematikisht të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën politike dhe shoqërinë civile”.

BIRN ka dokumentuar se edhe në vitin 2020, lobistë të angazhuar nga Dhoma e Tregtisë së Serbisë kishin tentuar të bënin presion mbi këtë organizatë për të zbutur raportet kritike. Freedom House refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të BIRN-it për këtë çështje, ashtu siç bëri edhe Marko Đurić, Ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasador i Serbisë në Uashington.

Në vitin 2024, lobistët raportuan se kishin kontaktuar zyrtarë amerikanë për të shpërndarë ftesa për ngjarje nëpër ambasada dhe komunikata që promovonin qëndrimin e Beogradit kundër Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

Ndërkaq, në vitin 2025, me Trump-in sërish në Shtëpinë e Bardhë, lobistët e Serbisë u fokusuan te mediat konservatore të krahut të djathtë, si Breitbart. Sipas raportimeve të BGR Government Affairs, autoritetet serbe u dërguan komunikata mediave amerikane ku mohonin me forcë përdorimin e një “arme sonike” kundër protestuesve paqësorë më 15 mars 2025.

Ato protesta masive kishin shpërthyer pas indinjatës popullore për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024. Një e-mail me subjektin “Serbia hedh poshtë akuzat për përdorimin e paligjshëm të armëve sonike kundër protestuesve” iu dërgua 19 gazetarëve të
mediave më të mëdha botërore, përfshirë The Washington Post, The New York
Times, Reuters, Politico dhe ABC News.

Përfaqësuesit e kompanive KARV, BGR Government Affairs dhe Valcour, nuk iu përgjigjën kërkesave të BIRN-it për koment.

Lobimi, jo një shkop magjik

Pavarësisht transparencës ligjore të punës së lobistëve në SHBA, një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve dokumentohet nga vetë ata, gjë që rrezikon të ofrojë një pasqyrë të njëanshme dhe të zbukuruar.

“Edhe kur deklaratat janë teknikisht në përputhje me ligjin, ato nuk i ofrojnë publikut një imazh të plotë dhe real të aktiviteteve që qeveritë e huaja ndërmarrin për të ndikuar në politikën amerikane”, shpjegon Scott Greytak, zëvendësdrejtor i Transparency International USA.

“Problemi këtu është strukturor. Këto aktivitete shpesh dalin në dritë vetëm pasi ndikimi është realizuar. Kur qeveritë e huaja shpenzojnë miliona dollarë për të ndikuar në politikën e SHBA-së, publiku ka të drejtë të dijë se kush fshihet pas këtyre veprimeve dhe cilat janë synimet e vërteta”- shton ai.

Greytak shton se qeveritë e huaja kanë mundësi legjitime t’i paraqesin qëndrimet e tyre në Kongresin e SHBA-së përmes kanaleve zyrtare, si dëgjesat publike apo takimet zyrtare me ligjvënësit.

“Kur lobimi bëhet hapur dhe në përputhje me ligjin, ai është pjesë e aktivitetit normal ndërkombëtar. Problemi lind kur përdoren firma lobimi ose ndërmjetës për të fshehur rolin e vërtetë të qeverisë së huaj apo për t’iu shmanger përgjegjësisë diplomatike. Në këto raste humb transparenca dhe zbehen garancitë demokratike”- thekson ai.

Mladen Lišanin, studiues në Institutin e Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Beograd, thekson se lobimi është thjesht një nga mjetet e shumta në dispozicion të shteteve dhe se ai nuk mund të zëvendësojë diplomacinë shtetërore.

“Është e rëndësishme që lobimi t’u shtohet kanaleve tradicionale diplomatike, në mënyrë që politika e jashtme të mos zhvendoset tërësisht në një sferë joformale të marrëdhënieve personale”- thotë Lišanin.
Sipas tij, opinioni publik serb dhe shumë zyrtarë lëkunden mes dy skajeve të gabuara.

“Disa e shohin lobimin si një shkop magjik që mund të zgjidhë çdo problem me Uashingtonin, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si diçka krejtësisht të kotë dhe shpërdorim parash publike. Të dyja këto perceptime janë të gabuara. Lobimi është shumë i dobishëm, por vetëm nëse përdoret si pjesë e një strategjie të jashtme të mirëmenduar, koherente dhe të udhëhequr nga njerëz kompetentë”, përfundon studiuesi./ Përshtati "Pamfleti", nga “Balcani Caucaso”

aleksandër vuçiç serbia

Lini një Përgjigje