Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka vizituar sërish në Spitalin e Traumës efektivët e policisë që mbetën të lënduar gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Hita u interesua për gjendjen shëndetësore të punonjësve të lënduar, duke biseduar me mjekët dhe me vetë efektivët për ecurinë e trajtimit të tyre.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen për profesionalizmin, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin e treguar nga punonjësit e policisë në menaxhimin e situatës së tensionuar gjatë tubimit.
Sipas Policisë së Shtetit, 15 efektivë mbetën të lënduar gjatë përballjes me protestuesit, si pasojë e goditjeve me gurë, sende të forta dhe mjete piroteknike, teksa ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Drejtori Hita i siguroi punonjësit e lënduar se do të kenë mbështetjen e plotë të institucionit dhe se do t'u garantohet i gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor deri në rikuperimin e plotë.
Në deklaratën e tij, Hita theksoi se misioni i Policisë së Shtetit kërkon profesionalizëm, kurajo dhe përgjegjësi, duke nënvizuar se efektivët do të vijojnë të ushtrojnë detyrën në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë publike, mbrojtjen e institucioneve dhe sundimin e ligjit.
Lini një Përgjigje