TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Qershor 2026, 11:48

Agjentura apo alibi: Sido që të jetë, Rama ka rënë!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Agjentura apo alibi: Sido që të jetë, Rama ka rënë!
Foto Ilustruese /

Nëse akuzat për infiltrime nga agjenturat e huaja në protestë janë të vërteta, atëherë qeveria ka dështuar të mbrojë sigurinë kombëtare. Nëse nuk janë, atëherë ato po përdoren për të delegjitimuar protestën. Në të dyja rastet, përgjegjësia politike bie mbi Kryeministrin...

Ka disa ditë që Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një strategji të re komunikimi. Përtej debatit politik, ai po përpiqet të delegjitimojë protestën duke evidentuar individë të caktuar, të cilët i paraqet si njerëz me lidhje me agjentura të huaja, me ekstremizmin apo me interesa që cenojnë sigurinë kombëtare.

Mund të ketë të drejtë. Askush nuk mund ta përjashtojë mundësinë që shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme të përpiqen të ndikojnë zhvillimet politike në Ballkan. Rajoni ynë ka qenë gjithmonë një terren ku përplasen interesa gjeopolitike.

Por pikërisht këtu mbarset shqetësimi im.

Nëse këta njerëz janë vërtet të lidhur me agjentura të huaja, kush i lejoi të veprojnë?

Kush i lejoi të ndërtojnë rrjete?

Kush i lejoi të futen në protesta, në media, në organizata apo në jetën publike?

Dhe mbi të gjitha, çfarë kanë bërë institucionet shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve?

Sepse Shqipëria nuk është një territor pa institucione. Ka Shërbimin Informativ, Policinë e Shtetit, strukturat kundër terrorizmit, Prokurorinë e Posaçme, inteligjencën ushtarake dhe një bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët perëndimorë.

Nëse, megjithatë, sipas vetë Kryeministrit, vendi është bërë një hapësirë ku agjenturat e huaja veprojnë lirisht, atëherë problemi nuk është tek protestuesi. Problemi është te shteti.

Një kryeministër nuk mund ta përdorë kërcënimin e infiltrimit vetëm si armë propagandistike kundër kundërshtarëve. Çdo deklaratë e tillë është një pranim indirekt se mekanizmat e sigurisë ose kanë dështuar, ose nuk kanë vepruar kurrë.

Dhe nëse është kështu, atëherë përgjegjësia politike ndalet në zyrën e Kryeministrit.

Sepse Edi Rama nuk është një kryeministër që erdhi dje. Ai qeveris Shqipërinë prej më shumë se një dekade. Ka emëruar drejtuesit e institucioneve të sigurisë, ka kontrolluar politikisht ekzekutivin dhe ka qenë përgjegjësi kryesor për funksionimin e shtetit. Nëse sot ai thotë se agjenturat e huaja kanë depërtuar deri në atë pikë sa ndikojnë jetën publike dhe protestat në Shqipëri, atëherë ai po pranon dështimin e qeverisjes së tij në një nga detyrat më themelore të shtetit: mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare.

Në demokraci, siguria kombëtare nuk është instrument propagande. Është përgjegjësi shtetërore. Nëse ekzistojnë prova, ato duhet të ndjekin rrugën e institucioneve dhe të drejtësisë, jo të postimeve në rrjetet sociale. Nëse nuk ekzistojnë prova, atëherë etiketimi i qytetarëve si "agjentë", "terroristë" apo "të infiltruar" është një praktikë e rrezikshme që helmon debatin publik dhe minon besimin tek institucionet.

Prandaj, nëse Kryeministri beson atë që po deklaron publikisht, atëherë nuk mjafton të tregojë me gisht protestuesit. Duhet të marrë përgjegjësinë që i takon.

Sepse në çdo demokraci funksionale, kur kreu i qeverisë pranon se shteti nuk ka qenë në gjendje të mbrojë vendin nga infiltrimi i ndikimeve të huaja, akti i parë nuk është propaganda. Është përgjegjësia politike.

Dhe përgjegjësia politike ka vetëm një emër: dorëheqje!/Pamfleti

 

agjentura apo alibi rama ka rënë gjergj zefi

6 Komente

  1. T
    Tony

    O brekushe mbushur, i dole nga zemra popullit. Vish tani sa te duash kostume ata Europe, te doli boja.

    1. L
      Lordi Rotshild

      Kur Kadri Azbiu i kërkoi Skënder Sollakut ti tregojë një barcoletë ai tha " se mos ka afër nonji t'sigutimit e na nigjo". Po mor zotni bash nr 1 , miku i ngushtë i Bibi Netanjahut është agjent i Sorros dhe zionistëve të Knesetit.

      1. K
        Kurizo

        I dashur Gjergj, me gjithë respektin që kam argumentat nuk qendrojn! Në mes të Uashingtonit shperthej ajo revolt - ku ka FBI ,CIA, SYRUKTURAT E SIGURISE USHTRISE etj dhe Jo vetëm që pushtuar ZYRA’s e senatoreve por pati edhe të vdekur! C do të thote kjo që shteti amerikan kishte rene? Që Biden duhej të ikte? Mos u cudite Irani perballoj ushtrine me të forte në bote dhe organizimi i një proteste është për të thjesht kruarje dhembedh

        1. A
          Agushi

          Ore jam kurioz, nje pyetje shume e thjeshte. Kush e mban akoma Ramen ne pushtet?

          1. K
            Kruja

            Kjo eshte e vërteta. Vetem dorëheqja, sepse ky eëose eshte kryeministër antishqiptar ose i pa afte te jet kryeministër.

            1. H
              Hasoni

              Analize e sakte. Do te shtoja vetem diçka: Meqe ketij te gjatit te shtremet i ra goja azhentura etj etj, a i ka bere kerkese Presidentit per te mbledhur Keshill8n e Sigurise Kombetare....? Sigurisht qe as i ka bere dhe as nuk ka per tja bere dhe a e dini pse, sepse ai sebashku me banden e tij te mbetur e dine fare mire qe kjo nuk eshte çeshtje agjenturash. Po te vepronte ndryshe do alarmonte NATO-n dhe do dilte bllof, keshtuqe nuk ka kellqe ta luaje kete karte.

              Lini një Përgjigje

              Editorial