Britanikët votuan për sovranitet dhe prosperitet. Dhjetë vjet më vonë, Brexit i ka lënë me më pak investime, më pak ndikim në Europë dhe më shumë paqëndrueshmëri politike...
Më 23 qershor 2016, britanikët morën një nga vendimet më të rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Me një shumicë të ngushtë, ata votuan për t'u larguar nga Bashkimi Europian, duke refuzuar një projekt politik, ekonomik dhe strategjik ku Britania kishte investuar për më shumë se katër dekada.
Mbështetësit e Brexit e paraqitën votën si një çlirim kombëtar. Ata premtuan rikthimin e sovranitetit, kufij nën kontroll, ekonomi më të fortë dhe një Britani që do të ecte e vetme drejt një epoke të re prosperiteti. Kundërshtarët paralajmëruan se vendi po hynte në një eksperiment me pasoja të paparashikueshme.
Dhjetë vjet më vonë, mjegulla e propagandës është shpërndarë dhe realiteti mund të shihet pa emocion. Brexit nuk e shkatërroi Britaninë, por as nuk e bëri më të pasur, më të fuqishme dhe më të sigurt. Përkundrazi, ai hapi një dekadë pasigurie ekonomike, fragmentimi politik dhe rënieje të ndikimit britanik në Europë. Ajo që u shit si rikthim i kontrollit, po shihet gjithnjë e më shumë si vendimi më i kushtueshëm strategjik që ka marrë Londra në kohë paqeje.
Shumica e studimeve ekonomike të publikuara gjatë viteve të fundit arrijnë në të njëjtin përfundim: ekonomia britanike është më e vogël sesa do të kishte qenë nëse vendi do të kishte mbetur në BE. Instituti UK in a Changing Europe vlerëson se Brexit e ka tkurrur ekonominë britanike krahasuar me skenarin alternativ të qëndrimit në Union.
Pasojat më të dukshme u shfaqen në katër fusha.
Së pari, investimet. Pas referendumit, shumë kompani shtynë ose anuluan investimet afatgjata për shkak të pasigurisë mbi marrëdhëniet e ardhshme tregtare me Europën. Disa analiza vlerësojnë se investimet private mbetën dukshëm më të ulëta sesa do të kishin qenë pa Brexit.
Së dyti, tregtia. Dalja nga tregu unik europian krijoi procedura doganore, kontrolle kufitare dhe kosto të reja administrative. Sektorë si industria automobilistike, bujqësia, peshkimi dhe eksportuesit e vegjël u përballën me pengesa që më parë nuk ekzistonin.
Së treti, produktiviteti. Ekonomistët argumentojnë se ekonomia britanike humbi ritmin e rritjes krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara pas vitit 2016. Disa vlerësime e vendosin diferencën e PBB-së për frymë në 6-8% më poshtë sesa do të ishte pa Brexit.
Së katërti, tregu financiar. Londra mbetet një nga qendrat kryesore financiare të botës, por një pjesë e aktiviteteve, kapitalit dhe personelit u zhvendos drejt qyteteve të BE-së si Frankfurti, Parisi dhe Amsterdami. Në të njëjtën kohë, tregu britanik i aksioneve ka vuajtur largime të mëdha kapitali gjatë dekadës së fundit.
Ironia e madhe është se shumë nga premtimet kryesore të fushatës së Brexit nuk u materializuan. Kontrolli i emigracionit mbetet një çështje e debatueshme, ndërsa ekonomia nuk përjetoi bum-in e premtuar. Sot, një pjesë e madhe e britanikëve beson se Brexit ka dëmtuar ekonominë dhe koston e jetesës. Sondazhet tregojnë gjithashtu rritje të mbështetjes për marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Europian.
Nga pikëpamja politike, Brexit solli edhe një efekt tjetër: paqëndrueshmëri. Që nga referendumi, Britania ka ndërruar kryeministra me një ritëm të pazakontë për traditën e saj politike. Dorëheqja e sotme e Keir Starmerit e çon vendin drejt kryeministrit të shtatë në dhjetë vjet.
Ndoshta Brexit nuk ishte katastrofa që parashikuan kundërshtarët e tij. Por ai mund të ketë qenë gabimi strategjik më i kushtueshëm që Britania ka bërë në kohë paqeje. Dhe për këtë arsye, dhjetë vjet më vonë, gjithnjë e më shumë britanikë po e shohin jo si triumfin e pavarësisë, por si mallkimin që ishulli ia imponoi vetëvetes./Pamfleti
Lini një Përgjigje