TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 12:03

"29 nxënës të përjashtuar", Kumbaro apel maturantëve para provimit të fundit: Respektoni rregullat

Shkruar nga Pamfleti
"29 nxënës të përjashtuar", Kumbaro apel
Provimet e maturës

Në prag të provimit të fundit të Maturës Shtetërore 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje maturantëve që të zbatojnë me përpikëri rregulloren dhe të shmangin çdo shkelje që mund t’i penalizojë në këtë fazë të rëndësishme të arsimit.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kumbaro rikujtoi se përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera inteligjente në ambientet e provimit është rreptësisht i ndaluar. Ajo shprehu gjithashtu keqardhjen për 29 maturantë, të cilët janë përjashtuar nga provimet gjatë tre testimeve të para për shkak të mosrespektimit të rregullores.

“Keqardhje për 29 maturantë që janë përjashtuar gjatë tre provimeve të para për shkelje të rregullores, duke humbur mundësinë për të vijuar provimet e Maturës Shtetërore dhe duke vënë në rrezik regjistrimin në universitet për këtë vit akademik, por respektimi i rregullave është tepër i rëndësishëm dhe i panegociueshëm”, u shpreh ministrja.

Kumbaro theksoi se qetësia, korrektësia dhe përqendrimi janë elementë thelbësorë për një performancë sa më të mirë në provim, duke u kërkuar nxënësve të ndjekin me kujdes udhëzimet e administratorëve.

“Të dashur maturantë, respektoni me përgjegjësi të gjitha rregullat e përcaktuara dhe ndiqni udhëzimet e administratorëve. Qetësia, përqendrimi dhe korrektësia janë elementët kyç për rezultate sa më të larta”, deklaroi ajo.

Procesi i Maturës Shtetërore 2026 po zhvillohet në 144 qendra provimesh në të gjithë vendin, me angazhimin e më shumë se 2 mijë mësuesve administratorë dhe 170 monitoruesve të Ministrisë së Arsimit. Provimi i lëndëve me zgjedhje shënon edhe përfundimin e testimeve kombëtare, rezultatet e të cilave do të jenë vendimtare për aplikimet dhe pranimin e maturantëve në universitet.

Ministrja ka bërë me dije më herët se këtë vit janë forcuar masat për garantimin e mbarëvajtjes së procesit, si dhe janë ashpërsuar penalitetet për çdo shkelje të rregullores, si për nxënësit ashtu edhe për administratorët e provimeve.

provimet e matures

Lini një Përgjigje