TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 09:02

Pacolli rikthen njerëzit në aeroport, përplasje dhe tensione për kontrollin e projektit

Shkruar nga Pamfleti
Pacolli rikthen njerëzit në aeroport, përplasje dhe tensione
Valon Ademi dhe Behgjet Pacolli

Përplasja mes “Mabco” dhe “2A Group” për kontrollin e aeroportit përshkallëzohet në terren; qeveria paralajmëron penalitete dhe deri në prishjen e kontratës koncesionare

Konflikti mes dy aksionerëve kryesorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, ka kaluar nga sallat e gjykatave në kantierin e ndërtimit, duke prodhuar skena tensioni dhe duke rrezikuar seriozisht fatin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Të hënën në mëngjes, punonjësit e kompanisë “Mabco Construction”, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, janë rikthyer në kantierin e aeroportit në Vlorë për të rifilluar punimet, vetëm pak orë pasi vetë Pacolli kishte njoftuar publikisht se kompania e tij do të rikthehej në objekt pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.

Por rikthimi nuk ka kaluar pa incidente. Sipas informacioneve nga vendngjarja, punonjësit e “Mabco”-s dhe nënkontraktorët e saj janë përballur me rojet e sigurisë të cilat kanë tentuar t’u ndalojnë hyrjen në territorin e aeroportit.

Situata është tensionuar shpejt. Në kushtet e përplasjes verbale dhe fizike, punonjësit e kompanisë së Pacollit kanë hyrë me forcë në kantier, duke dëmtuar portën hyrëse. Më pas konflikti është zhvendosur pranë zyrave administrative, ku ata janë përplasur me përfaqësues dhe punonjës të kompanisë “2A Group”, të drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Burime pranë kantierit bëjnë me dije se punonjësit e “2A Group” janë larguar nga ambientet e zyrave pas hyrjes së grupit të “Mabco”-s, ndërsa situata ka mbetur e tensionuar për disa orë. Ngjarja shënon kulmin e një konflikti që prej muajsh po zhvillohet mes dy palëve për kontrollin dhe administrimin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Një ditë më parë, Behgjet Pacolli kishte njoftuar se rreth 200 punonjës të kompanisë së tij do të riktheheshin në kantier për të vijuar punimet e ndërprera.

Në reagimin e tij publik, Pacolli argumentoi se rikthimi bazohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila së fundmi i dha të drejtë “Mabco Construction” në mosmarrëveshjen për administrimin e projektit.

“Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim”, deklaroi ai.

Sipas biznesmenit, “Mabco” ka investuar rreth 310 milionë euro në projekt dhe mbetet e angazhuar për përfundimin e veprës. Ai insistoi se çdo veprim i kompanisë është në përputhje me ligjin dhe me vendimet e organeve gjyqësore.

Në një reagim të mëvonshëm, Pacolli deklaroi se asnjë vendim gjyqësor nuk ndalon hyrjen e “Mabco”-s dhe nënkontraktorëve të saj në kantier. Ai gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e bëra nga Bujar Ejupi, duke pretenduar se ai nuk përfaqëson më interesat e shoqërisë VIA.

Si nisi konflikti mes ortakëve dhe qëndrimi nga Qeveria

Përplasja mes Pacollit dhe Ademit ka rrënjë më të hershme dhe lidhet me strukturën aksionare të kompanisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), e cila po ndërton aeroportin.

Sipas pretendimeve të “2A Group”, palët kishin nënshkruar një kontratë noteriale që do ta rriste pjesëmarrjen e kompanisë së Ademit nga 2 për qind në 49 për qind të aksioneve. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çka hapi një konflikt të gjatë juridik.

Kompania e Ademit pretendon se më pas “Mabco” vendosi në mënyrë të njëanshme kufizime në funksionimin e shoqërisë dhe regjistroi vendime pa miratimin e organeve përkatëse të VIA-s.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej pas nënshkrimit nga “Mabco” të një marrëveshjeje kredie prej 100 milionë eurosh me fondin financiar “Delphos”. Kjo bëri që “2A Group” të kërkonte pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut nga shoqëria.

Gjykatat e shkallëve më të ulëta në disa raste i dhanë të drejtë pretendimeve të kompanisë së Ademit, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ndryshoi rrjedhën e çështjes, duke rikthyer kontrollin e projektit tek “Mabco”.

Përveç betejës civile, çështja ka marrë edhe dimension penal. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj biznesmenit Behgjet Pacolli dhe personave të lidhur me të për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, mashtrimit kompjuterik dhe falsifikimit të dokumenteve dhe akteve.

Hetimet janë ende në fazë paraprake dhe deri më tani nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar mbi këto akuza.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka shprehur shqetësim të hapur për situatën e krijuar. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se konflikti mes aksionerëve po mban peng një investim strategjik për vendin dhe po vonon funksionimin e aeroportit.

“Mosoperimi ose bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat. Është çështje e interesit publik dhe shtetëror”, deklaroi ministri. Sipas tij, çdo ditë vonesë sjell humbje ekonomike për industrinë e turizmit, operatorët ekonomikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit.

Karakaçi paralajmëroi se Ministria do të zbatojë të gjitha klauzolat e kontratës koncesionare, duke filluar nga vendosja e penaliteteve financiare e deri te mundësia e zgjidhjes së njëanshme të kontratës, nëse situata vazhdon.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit dhe ishte parashikuar të niste operimet që në muajin mars të këtij viti.

Megjithatë, për shkak të konfliktit mes aksionerëve, vonesave në përfundimin e infrastrukturës dhe mungesës së certifikimeve të nevojshme operacionale, aktualisht nuk ekziston një datë zyrtare për nisjen e fluturimeve.

Ndërsa beteja mes Pacollit dhe Ademit vijon në gjykata dhe tashmë edhe në terren, e ardhmja e aeroportit mbetet e paqartë, duke rritur shqetësimet për një projekt që qeveria e konsideron me rëndësi kombëtare dhe strategjike për zhvillimin ekonomik e turistik të vendit. /Pamfleti/

 

pacolli aeroporti vlores ademi

Lini një Përgjigje