TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Qershor 2026, 22:01

Marshimi kilometrik "mbush" rrugët e kryeqytetit/ Turma kërkon largimin e Ramës dhe Berishës!

Shkruar nga Pamfleti

Marshimi kilometrik "mbush" rrugët e kryeqytetit/ Turma

Ka përfunduar pjesa e fjalimeve dhe tubimit përpara godinës së Kryeministrisë në këtë ditë të 22-të të protestës masive qytetare. Por lëvizja nuk mbaron këtu. Menjëherë pas përmbylljes së mesazheve nga podiumi, mijëra protestuesit e mbledhur janë rreshtuar për të nisur një marshim përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës.

Turma, e cila tashmë është shtrirë në një gjatësi kilometrike, po lëviz nën monitorimin e forcave të rendit, duke mbushur bulevardet dhe duke bërë jehonë në gjithë kryeqytetin. Thirrjet e tyre janë të qarta dhe të pandërprera: largimi i menjëhershëm i Edi Ramës nga pushteti, por jo vetëm kaq. Protestuesit po kërkojnë gjithashtu largimin e përhershëm të Sali Berishës nga politika, duke e bërë të qartë se kjo lëvizje nuk synon vetëm një qeveri të re, por një pastrim të tërësishëm të skenës politike shqiptare.

"Rama n'burg! Berisha n'burg! Rinia në pushtet!" - bërtasin qindra zëra njëzëri, duke përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit.

Marshimi, që ka zënë gjithë gjerësinë e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", po shoqërohet nga qytetarë që dalin nga banesat dhe lokalet për t'iu bashkuar turmës. Dritaret dhe ballkonet janë mbushur me mbështetës të lëvizjes, ndërsa thirrjet për drejtësi dhe ndryshim vijojnë të jenë të pandërprera.

Ora po shkon dhe nata po bie, por protestuesit nuk tregojnë shenja lodhjeje. Ata kanë kaluar nga tubimi në marshim, duke treguar se vendosmëria e tyre për të kërkuar një ndryshim rrënjësor në vend mbetet e palëkundur.

protesta edi rama sali berisha

Lini një Përgjigje