Një reflektim mbi Kupën e Botës 2026, perceptimin global ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolin e sportit si hapësirë takimi mes kulturave…
Një nga pjesët më të bukura të ndjekjes së futbollit në mbarë botën është mënyra se si ai të tërheq drejt vendeve të veçanta, faltoreve lokale, objekteve me një lidhje të thellë kulturore. Natyrisht, edhe Shtetet e Bashkuara kanë hapësira të tilla të shenjta.
Radha e pelegrinëve në Filadelfia të enjten në mëngjes shtrihej përgjatë shkallëve të përvëluara nga dielli deri në sheshin poshtë tyre. Duke avancuar ngadalë, njerëzit me ngjyrat e tyre rituale iu afruan figurës në majë, me krahët e shtrirë në shenjë lutjeje, në një gjendje respekti të heshtur. Kur erdhi më në fund çasti i tij i kungimit, burri në krye të radhës rregulloi fanellën e Ronaldinhos, ngriti grushtet mbi kokë për foton ceremoniale në Instagram dhe bërtiti: “Adrian! Ia dola!”
Bëhet fjalë, sigurisht, për statujën e Rocky-t, vendin publik më të vizituar në djepin e historisë amerikane dhe, për mijëra tifozë të Brazilit dhe Haitit që kishin ardhur për ndeshjen e Grupit C, të vetmin vend në qytet ku mund të kapnin një copëz të pastër të Amerikës.
Statuja e Rocky-t ka të bëjë pikërisht me ata grushte të ngritura mbi horizont, që përqafojnë qiellgërvishtësit poshtë dhe mbajnë qytetin e parë të Amerikës në duart e tij në madhësi njerëzore. Kam një teori për SHBA-në dhe duart. Shumë nga krijimet më të mëdha amerikane për vetë-mitizim kanë qenë në përmasën e dorës. Hamburgeri. Revolveri .45 Colt. Dorashka e bejsbollit. Industria e pornografisë. Biskota me copa çokollate, e krijuar që punëtorët t’i merrnin me vete në fusha dhe fabrika.

Të gjitha këto krijime janë projektuar për t’iu përshtatur dorës, në një mënyrë të shkallëzueshme dhe demokratizuese, duke sugjeruar se kjo tokë e madhe dhe e ashpër mund të reduktohet në përmasën njerëzore, se mund të mbash një copë të saj në pëllëmbë. Të gjitha Coca-Colat janë njësoj dhe të gjitha Coca-Colat janë të mira. Ëndrra e kolonizatorit nuk përjashton askënd. Gjithçka që të duhet është një palë duar.
Natyrisht, kjo nuk është e vërtetë. SHBA-ja është gjithashtu një vend i ndërtuar mbi pabarazi të dhunshme, mbi skllavërinë, me pushtet të centralizuar, me skaje mizore dhe me një histori të afërt kolonializmi ekonomik të përgjakshëm. Nuk është thjesht vendi i petullave dhe donutëve. Por kështu funksionojnë ëndrrat. Janë mashtruese dhe konfuze, por mund të përmbajnë edhe një grimcë të së vërtetës.
Teoria ime vazhdon me përfundimin se momenti kur SHBA-ja nisi të humbte drejtimin dhe të hynte në rënie kulturore ishte kur humbi këtë lidhje me përmasën e dorës. Papritur Amerika nisi t’u servirte qytetarëve ushqime aq të mëdha sa nuk mund të mbaheshin më në duar: hamburgerë gjigantë që shpërthejnë në fytyrë, pako patatinash sa një thes plehrash, bidonë tregalonësh me Sprite vanilje. Ndërkohë po shpik mënyra për të alienuar jo vetëm veten, por edhe gjithë botën, duke i dhënë pushtet një grupi të çuditshëm perëndish teknologjike dhe duke zhvendosur ekzistencën tonë të përbashkët në një hapësirë digjitale pa gjymtyrë.
Fundi i Amerikës nuk do të vijë përmes revolucionit politik apo tankeve mbi kodra. Do të vijë kur ajo të mbytet nga një M&M sa një top basketbolli pas timonit të padukshëm të makinës vetëdrejtuese, ndërsa në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë një president i inteligjencës artificiale në cloud hedh një top virtual jo-futbolli me pasardhësit e tij robotikë pa krahë. Dhe para se të ngrini dorën kundër kësaj propagande të çmendur antiamerikane evropiane, ndoshta duhet të shikoni poshtë. Nuk keni më duar.
Çfarë lidhjeje ka kjo me Kupën e Botës në Meksikë, Kanada dhe SHBA, 11 ditë pasi na është thënë se po zhvillohet ngjarja më e madhe që ka organizuar ndonjëherë njerëzimi? Në këtë fazë është zakon të vlerësohen aspektet futbollistike të turneut. Numri i spektatorëve, mesatarja e golave dhe organizimi i vendeve pritëse analizohen me kujdes.
Nuk është e vështirë të hartosh një listë me gjërat që nuk pëlqehen. Të këqijat: ndërprerja e mjerueshme dhe mashtruese për reklama në mes të pjesëve, poza e fryrë e presidentit të FIFA-s dhe adhurimi ndaj personazheve të famshëm pa lidhje me futbollin. Të mirat: qytetet amerikane, stadiumet amerikane, atmosfera e ngrohtë dhe funksionale e diasporave dhe vetë ndeshjet, të cilat kanë qenë të këndshme dhe argëtuese.
Por kjo Kupë Bote nuk ka qenë kurrë vetëm për futbollin. Ashtu si turneu i fundit në Katar, ajo do të konsiderohet sukses sipas kritereve të veta, pavarësisht se çfarë ndodh në fushë. Këto kritere janë: të gjenerojë 14 miliardë dollarë përmes marketingut të 300 orëve përmbajtje televizive; të largohet nga tregu tashmë i ngopur evropian dhe të depërtojë në tregun më të madh botëror të kohës së lirë; si dhe të forcojë bazën financiare të Gianni Infantinos përpara mandatit të tij të tretë.

Prandaj, kjo Kupë Bote ka qenë gjithmonë më shumë për SHBA-në sesa për futbollin dhe për pyetjen më të gjerë se çfarë duhet të ndjesh për këtë vend dhe çfarë është ai në të vërtetë: ende forca më e fuqishme kulturore dhe ekonomike në botë, por tashmë më armiqësore dhe më e përqendruar tek vetja, duke e përshtatur spektaklin më të dashur global sipas formës së saj.
Megjithatë, Kupa e Botës në SHBA ka zbuluar deri tani një gjë interesante dhe të papritur. Duke udhëtuar nëpër vend gjatë dy javëve të para, nga Kalifornia në Teksas e deri në Nju Jork, më është dukur se ndoshta Kupa e Botës mund të nxjerrë në pah më të mirën e Shteteve të Bashkuara, jo më të keqen.
Po, askush nuk i beson më klisheve të zakonshme të sportit të madh për bashkim, lidhje dhe miqësi universale. Lojërat Olimpike Londër 2012 nuk e transformuan Britaninë. Spektakli i hapjes nuk krijoi një vend më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës. Nuk ka trashëgimi magjike, përveçse ndoshta një shoqëri më të zemëruar dhe më të dëshpëruar në vitet që pasuan.
Por ndoshta kjo Kupë Bote mund të jetë ndryshe. Jo vetëm sepse futbolli modelon vetë idenë e bashkëpunimit dhe lidhjes, por sepse natyra e izolimit të SHBA-së nga pjesa tjetër e botës është specifike.
Pjesa më e dukshme e qëndrimit këtu është konfirmimi i faktit se sa shumë njerëz në botë e urrejnë instinktivisht SHBA-në ose e shohin atë vetëm si një entitet kërcënues dhe të urryer, një burim të së keqes.
Ka arsye reale për këtë perceptim. SHBA-ja hyri në këtë Kupë Bote pasi kishte vrarë së fundmi kreun e shtetit të ekipit të renditur i dyti në Grupin G; vazhdon të mbështesë një konflikt shkatërrues në Palestinë; administrata Trump po luan me rrezikun e destabilizimit të ekonomisë globale; ndërsa agjencia ICE po ndjek me politika të ashpra emigracioni pjesë të popullsisë së vet. Edhe vetë Kupa e Botës, sipas autorit, është një formë dhune ekonomike për shkak të çmimeve të paarritshme.

Megjithatë, urrejtja ndaj SHBA-së si një entitet i vetëm është po aq konfuze. Ajo nënkupton demonizimin e një vendi jashtëzakonisht të larmishëm dhe kompleks bazuar vetëm në veprimet e disa politikanëve republikanë të lidhur me lëvizjen MAGA.
Nëse Amerika është shndërruar në këtë imazh të vetëm në mendjen e shumë njerëzve, ndoshta kjo ndodh sepse kështu funksionon sot përvoja jonë e informacionit. Gjithçka rrafshohet, shkurtohet dhe shndërrohet në zhurmë. Kjo Kupë Bote është ngjarja e parë globale që zhvillohet kaq thellë brenda hapësirës online, e përjetuar kryesisht përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale.
Kjo është edhe mënyra se si Donald Trump arriti pushtetin: duke mbushur hapësirën informative me mesazhe të thjeshta që mbizotëronin mbi zhurmën e përgjithshme. SHBA-ja mund të duket si një shprehje e përhershme e forcës, lakmisë, dëshirës dhe mizorisë njerëzore, por Amerika nuk është vetëm Trump. Për të votuan 77 milionë njerëz; 272 milionë të tjerë jo. Një vend me 350 milionë banorë dhe më shumë se 100 komunitete të rëndësishme emigrantësh nuk mund të reduktohet në një identitet të vetëm.
SHBA-ja është bota e përmbledhur në një kokërr shumë të madhe rëre: pafundësisht e pasur në bukurinë, energjinë, të metat dhe veset e saj. Të urresh këtë është një ide e çuditshme. Nëse nuk të pëlqen Amerika, atëherë çfarë të pëlqen? Sepse kjo është ajo që janë njerëzit.

Dhe si gjithë të tjerët, edhe amerikanët janë të shtypur në vendin e tyre, si nga një shtresë oligarkësh teknologjikë të pazgjedhur, ashtu edhe nga një regjim përçarës. Ky është një vend që prej një shekulli po dëmton popullin e vet, qoftë përmes dhunës dhe përçarjes, qoftë përmes ushqimit, drogës dhe degradimit mendor.
Pavarësisht gjithçkaje, grumbullimi i njerëzve nën flamurin e kësaj Kupe Bote të komprometuar të FIFA-s ka kujtuar diçka tjetër të rëndësishme: takimin e njerëzve në hapësira reale. Kjo është pothuajse një formë kundërshtimi revolucionar ndaj humbjes së përmasës njerëzore.
Pritja nga njerëzit e zakonshëm në këtë Kupë Bote ka qenë e ngrohtë. Shpesh dëgjon amerikanë që duan të flasin për mënyrën se si shihet vendi i tyre në botë, të kërkojnë falje, të shpjegojnë dhe të kundërshtojnë izolacionizmin e Trumpit.
Kush e di? Ndoshta vetë mekanizmat bazë të sportit mund të tregojnë diçka tjetër. Shumë skuadra përfaqësojnë pikërisht të kundërtën e ndarjes dhe izolimit. Për shembull, përfaqësueset e Curaçaos dhe Kepit të Gjelbër, të ndërtuara mbi diasporat e tyre, tregojnë historinë e vendeve të tyre, marrëdhëniet me botën dhe përvojat e përbashkëta njerëzore.
A ka kjo ndonjë vlerë reale? Askush nuk e di me siguri. Por kur Egjipti dhe Irani të luajnë në Seattle në fund të qershorit, në të njëjtën kohë me festimet e Pride-it në qytet, dy vende ku seksualitetet e ndryshme janë të paligjshme do të përballen me këtë realitet. Ky është aspekti më i mirë i sportit: detyrimi i njerëzve të përballen me njëri-tjetrin në botën reale dhe të kuptojnë se nuk janë thjesht simbole apo armiq abstraktë.
Futbolli nuk do ta bashkojë botën. Por mund të mbajë përpara nesh një pasqyrë të vogël dhe të dobishme. Ky spektakël vazhdon të ofrojë një model të asaj që Amerika pretendon të jetë në rastin më të mirë: një vend në përmasën njerëzore, një ide që mund të mbahet në dorë. Dhe një kujtesë se urrejtja ndaj këtij vendi, ashtu si ndaj çdo vendi tjetër, është të biesh në grackën e atyre që janë të lumtur ta përdorin atë urrejtje si armë. /Përshtatur nga The Guardian/
Lini një Përgjigje