Liderë perëndimorë, ish-kryeministra, gjeneralë dhe parlamentarë ndërkombëtarë mbështesin Rezistencën Iraniane dhe vizionin për një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore
Dhjetëra figura të njohura politike, ushtarake dhe parlamentare nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kanadaja u mblodhën në Paris në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “Irani i Lirë 2026”, duke shprehur mbështetje për lëvizjen e Rezistencës Iraniane dhe për ndryshimin demokratik në Iran.
Konferenca dyditore, e mbajtur më 20 dhe 21 qershor në selinë e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), përkoi me përvjetorin e martirëve dhe të burgosurve politikë iranianë, si dhe me përvjetorin e fillimit të rezistencës kundër regjimit teokratik që qeveris Iranin prej më shumë se katër dekadash.
Në qendër të aktivitetit ishte zonja Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e Rezistencës Iraniane për periudhën kalimtare, e cila paraqiti vizionin e saj për një Iran të ardhshëm të bazuar mbi demokracinë, pluralizmin politik, barazinë gjinore, ndarjen e fesë nga shteti dhe heqjen dorë nga programet bërthamore ushtarake.
Mesazhi kryesor që dominoi konferencën ishte se e ardhmja e Iranit nuk duhet të ndërtohet as mbi rikthimin e sistemit monarkik dhe as mbi vazhdimin e regjimit aktual teokratik.
Folësit argumentuan se alternativa e vetme e qëndrueshme është krijimi i një republike demokratike, laike dhe jo-bërthamore, të mbështetur te vullneti i qytetarëve iranianë dhe te rezistenca e organizuar.
Samiti “Irani i Lirë 2026” përfundoi me thirrje për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj popullit iranian dhe forcave demokratike që synojnë ndryshimin politik në vend, duke e paraqitur rezistencën iraniane si një faktor kyç në procesin e transformimit të ardhshëm të Iranit.
Rajavi: Ndryshimi nuk vjen nga lufta e huaj apo pajtimi me regjimin
Në fjalimin e saj kryesor, Maryam Rajavi theksoi se e ardhmja e Iranit duhet të ndërtohet nga vetë populli iranian.
Ajo deklaroi se alternativa ndaj regjimit aktual nuk është ndërhyrja e huaj ushtarake dhe as politika e pajtimit me autoritetet iraniane, por një rezistencë e organizuar që mbështetet te qytetarët iranianë dhe te brezi i ri që kërkon liri dhe demokraci.
Rajavi vuri theksin te roli i rinisë iraniane, e cila sipas saj ka refuzuar si diktaturën monarkike të Shahut ashtu edhe diktaturën fetare të mullahëve.
“Rruga e çlirimit të Iranit kalon përmes popullit iranian dhe rezistencës së organizuar”, theksoi ajo para pjesëmarrësve.
Charles Michel: Ndryshimi është në rrugë
Ish-Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e krahasoi planin dhjetëpikësh të Maryam Rajavit me idealet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian.
“Ky plan përfaqëson demokracinë, paqen, lirinë dhe prosperitetin”, deklaroi Michel.
Ai shtoi se regjimi iranian përpiqet t’i bindë qytetarët se ndryshimi është i pamundur, por sipas tij realiteti tregon të kundërtën.
“Ndryshimi është në rrugë. Ndryshimi është në zemrat e iranianëve. Ndryshimi është në zemrat e aktivistëve të Ashraf 3 në Shqipëri, të cilët janë të mbijetuar dhe simbol i qëndresës”, tha Michel.
Boris Johnson: Liria nuk vjen nga froni apo kurora
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson shprehu mbështetjen e tij për lëvizjen “Irani i Lirë” dhe për përpjekjet e opozitës iraniane.
Ai deklaroi se populli iranian meriton demokraci, të drejta themelore dhe liri të shprehjes.
Johnson nënvizoi se zgjidhja për Iranin nuk qëndron në rikthimin e monarkisë.
“Krona dhe froni nuk mund t’i garantojnë lirinë popullit iranian. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda”, tha ai.
Gjeneralët amerikanë mbështesin rezistencën e organizuar
Gjenerali James Jones deklaroi se Rezistenca Iraniane dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës kanë paraqitur një alternativë të qartë demokratike për të ardhmen e Iranit.
Ai argumentoi se lëvizja e udhëhequr nga Maryam Rajavi ka krijuar një vizion konkret për tranzicionin politik dhe demokratik.
Nga ana tjetër, Gjenerali Keith Kellogg vlerësoi rolin e NCRI-së dhe të Muxhahedinëve në zbulimin e programit sekret bërthamor iranian në vitin 2002, një zhvillim që çoi në nisjen e inspektimeve ndërkombëtare.
Gjenerali Tod Wolters, ish-Komandanti Suprem i NATO-s në Evropë, vuri në dukje kontributin e anëtarëve të Ashraf 3 në Shqipëri.
“Patriotët në Ashraf 3 dhe qytetarët iranianë anembanë botës meritojnë mbështetjen tonë. Përpjekjet e tyre për lirinë e Iranit janë të admirueshme dhe strategjikisht të rëndësishme”, deklaroi ai.
Ashraf 3 në qendër të vlerësimeve ndërkombëtare
Komuniteti i Ashraf 3 në Shqipëri u përmend në mënyrë të përsëritur gjatë konferencës nga disa prej folësve kryesorë.
Bob Blackman, në emër të delegacionit britanik, vlerësoi rezistencën shumëvjeçare të anëtarëve të Ashraf 3.
“Herosat dhe trimat e Ashraf 3 kanë mbajtur gjallë shpresën për një Iran të lirë, demokratik, laik dhe jo-bërthamor”, deklaroi ai.
Blackman theksoi gjithashtu se demokracia në Iran nuk mund të ndërtohet mbi rikthimin e strukturave monarkike të së kaluarës.
Mbështetje nga parlamentet perëndimore dhe senatorët
Deputetja franceze Christine Arrighi deklaroi se mbështetja për planin politik të Maryam Rajavit po rritet brenda institucioneve franceze.
Ajo theksoi se pjesëmarrësit në konferencë kishin një objektiv të përbashkët: çlirimin e popullit iranian nga diktatura.
“Mesazhi ynë është i qartë: Jo pajtimit me regjimin dhe po rezistencës së popullit iranian”, tha Arrighi.
Ndërkohë, John Bercow e cilësoi Maryam Rajavin si një prej figurave më të guximshme të kohës sonë dhe një kampione të lirisë.
Në aktivitet u transmetuan gjithashtu mesazhe video nga disa senatorë amerikanë, mes tyre Ruben Gallego, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Ted Cruz.
Mesazhet e tyre u fokusuan në mbështetjen për aspiratat demokratike të popullit iranian, respektimin e të drejtave të njeriut dhe nevojën për një zgjidhje demokratike për të ardhmen e vendit.
Mbështetje ndërkombëtare nga figura të nivelit të lartë
Në konferencë morën pjesë dhe mbajtën fjalime personalitete të njohura ndërkombëtare, mes tyre:
Charles Michel, President i Këshillit Evropian (2019–2024);
Boris Johnson, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (2019–2022);
Gjenerali James Jones, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Barack Obama;
Gjenerali Keith Kellogg, i dërguar presidencial amerikan për çështjet e Ukrainës;
Gjenerali Tod Wolters, ish-Komandant Suprem i NATO-s në Evropë;
Louis Freeh, ish-Drejtor i FBI-së;
John Baird, ish-Ministër i Jashtëm i Kanadasë;
John Bercow, ish-Kryetar i Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar;
Bob Blackman, Kryetar i Komitetit të Parlamentarëve të Partisë Konservatore Britanike;
Christine Arrighi, deputete franceze dhe Presidente e Komitetit Parlamentar për një Iran Demokratik.
Përveç tyre, në samit morën pjesë dhjetëra deputetë, senatorë, ministra dhe ish-zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme perëndimore.
Lini një Përgjigje