Ikona e muzikës pop, Madonna, ka shprehur hapur shqetësimin e saj për ndikimin e inteligjencës artificiale në industrinë artistike, duke e cilësuar atë si një rrezik për krijimtarinë dhe origjinalitetin.
Në një intervistë për Vogue Italia, artistja u shpreh se përdorimi gjithnjë e më i madh i algoritmeve dhe inteligjencës artificiale po i shtyn krijuesit drejt zgjedhjeve të sigurta, duke zbehur guximin për të eksperimentuar.
"Inteligjenca artificiale është e kundërta e marrjes së rrezikut dhe, për mua, kjo është e kundërta e artit", u shpreh Madonna.
Ajo bëri edhe një krahasim mes industrisë së sotme dhe asaj të viteve të mëparshme, duke theksuar se dikur artistët frymëzoheshin nga bashkëpunimet me krijues të disiplinave të ndryshme, ndërsa sot, sipas saj, rëndësi më të madhe u kushtohet numrit të ndjekësve në rrjetet sociale sesa talentit artistik.
Megjithatë, Madonna sqaroi se edhe ajo ka përdorur inteligjencën artificiale në disa projekte, por vetëm për krijimin e efekteve vizuale dhe materialeve promovuese. Ajo nënvizoi se AI nuk ka qenë pjesë e procesit të kompozimit apo krijimit të muzikës së saj.
Artistja foli edhe për filmin biografik të jetës së saj, projekt që u anulua pas disa vitesh zhvillimi. Sipas saj, arsyeja kryesore ishte mospajtimi me studion lidhur me buxhetin e nevojshëm për realizimin e filmit.
"Nuk isha e gatshme të bëja kompromise që do të dëmtonin cilësinë e historisë sime", theksoi Madonna.
Je origjinale. Cfaredo te besh si te bukura e te shemtuara, mbetesh origjinale.