TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2026, 12:34

Berisha: PPE rreshtohet pro qeverisë teknike dhe protestës qytetare

Shkruar nga Pamfleti
Berisha: PPE rreshtohet pro qeverisë teknike dhe protestës qytetare
Sali Berisha

Kreu i PD-së thotë se raporti i miratuar nga Partia Popullore Evropiane mbështet gjithashtu protestën rinore qytetare dhe ngre shqetësime për procesin zgjedhor në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Partia Popullore Evropiane (PPE) ka miratuar me unanimitet raportin e misionit faktmbledhës për Shqipërinë, duke theksuar se dokumenti kërkon krijimin e një qeverie teknike ose kujdestare për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sipas Berishës, raporti është miratuar në Asamblenë Politike të PPE-së dhe përmban vlerësime kritike për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri. Ai tha se dokumenti e përshkruan vendin si një shtet të kapur nga krimi i organizuar, oligarkët dhe kartelet e drogës, ndërsa pretendoi se në të evidentohen problematika që lidhen me procesin zgjedhor, përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe raportet mes institucioneve dhe partisë në pushtet.

Berisha deklaroi se raporti u referohet edhe vlerësimeve të organizmave ndërkombëtarë, përfshirë OSBE/ODIHR dhe institutin V-Dem, duke pretenduar se dokumenti evidenton mungesën e kushteve për një garë të barabartë zgjedhore.

Në deklaratën e tij, kreu i PD-së tha se raporti trajton edhe çështje që lidhen me luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtave të opozitës në Parlament. Ai përmendi me emër disa zyrtarë të qeverisë, duke i lidhur me kritikat që, sipas tij, përmban raporti.

Sipas Berishës, një nga elementët kryesorë të rezolutës së PPE-së është mbështetja për krijimin e një qeverie teknike ose kujdestare, me argumentin se kjo do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në të njëjtën deklaratë, Berisha u ndal edhe te protesta rinore qytetare, duke pohuar se rezoluta e PPE-së i ka shprehur mbështetje kësaj lëvizjeje për shkak të, sipas tij, kauzës së saj të drejtë. Ai tha se protesta ka hyrë në ditën e 35-të dhe e cilësoi atë si një shembull të protestës paqësore, duke pretenduar se ka marrë mbështetje të gjerë politike.

"Mendoj se kjo është një arritje e madhe në radhë të parë për ata djem dhe vajza, burra dhe gra që kanë 35 ditë që protestojnë për një kauzë të madhe kombëtare me orë e orë të tëra dhe janë bërë shembull në mbarë botën për protestën e tyre paqësore. Pra mund të themi se sot protesta mund të jetë ndoshta e vetmja protestë në 30 vitet e fundit në Shqipëri dhe Evropë, e cila ka marrë mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik", tha ai.

 

berisha qeveria teknike ppe

Lini një Përgjigje