Dokumentet zyrtare e vendosin Shqipërinë në 2.6% të PBB-së për mbrojtjen në vitin 2026, ndërsa Reuters raporton se administrata Trump dhe negociatat brenda NATO-s kanë hapur debat për organizimin e samitit të vitit 2027 në Tiranë…
Shqipëria paraqitet si një nga vendet e NATO-s që po rrit kontributin e saj në mbrojtjen kolektive, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po kërkojnë angazhim më të madh nga aleatët.
Gjatë një interviste për Fox News, ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, u publikua një grafik që pasqyronte shpenzimet ushtarake të vendeve të aleancës për periudhën 2014–2025.
Shqipëria figuron mes pesë vendeve me buxhetin më të ulët ushtarak në NATO, me 570.3 milionë dollarëNë të njëjtën listë janë edhe Mali i Zi (173.8 milionë dollarë), Maqedonia e Veriut (357.8 milionë dollarë), Luksemburgu (1.4 miliardë dollarë) dhe Estonia (1.5 miliardë dollarë).
Në krahun tjetër, SHBA dominojnë me 980 miliardë dollarë, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar (90.5 miliardë), Franca (66.5 miliardë), Italia (48.8 miliardë) dhe Polonia (44.3 miliardë).
Grafiku i publikuar gjatë intervistës së ambasadorit amerikan nuk e rendit Shqipërinë ndër vendet me shpenzimet më të larta ushtarake, por e përfshin mes aleatëve që kontribuojnë në mbrojtjen kolektive. Vlera absolute e buxhetit është e ulët për shkak të madhësisë së ekonomisë shqiptare, ndërsa vlerësimi i përmbushjes së objektivave të NATO-s bëhet mbi bazën e përqindjes së PBB-së, ku Shqipëria deklaron se arrin 2.6% për vitin 2026.

Whitaker theksoi rëndësinë e kontributit praktik të aleatëve.
"Mendoj se shumica e aleatëve tanë, në fakt të gjithë aleatët tanë në NATO, po na ofrojnë bazat, aksesin dhe mbështetjen ajrore që na nevojiten", deklaroi ai.
Deklarata vjen ndërsa administrata amerikane po zhvillon një rishikim të gjerë të pranisë së saj ushtarake në Evropë, duke analizuar jo vetëm vendosjen e trupave dhe bazave, por edhe nivelin e bashkëpunimit me vendet aleate.
Sipas Aktit Normativ të Buxhetit 2026, të miratuar së fundmi, shpenzimet totale të Shqipërisë për mbrojtjen arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa 2.2% e PBB-së i dedikohet shpenzimeve bazë të mbrojtjes, mbi pragun minimal prej 2% të vendosur nga NATO.
Dokumenti parashikon gjithashtu shtimin e 300 efektivëve të rinj ushtarakë dhe një rritje prej 10.3 miliardë lekësh për investime dhe operacione në sektorin e mbrojtjes.
Megjithatë, pavarësisht këtyre të dhënave, Reuters raporton se mundësia që Shqipëria të presë samitin e NATO-s në vitin 2027 është vënë në diskutim gjatë negociatave të aleancës.
Sipas agjencisë, një draft-deklaratë për samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara nuk e përmend më Shqipërinë si vendin pritës të samitit pasues, ndryshe nga deklaratat e mëparshme të aleancës. Informacioni është konfirmuar për Reuters nga një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të tjerë të njohur me bisedimet.
Në vend të kësaj, drafti shprehet se udhëheqësit e NATO-s "presin me padurim" takimin e ardhshëm, pa përcaktuar vendin ose datën.
Reuters raporton se kjo çështje lidhet me përpjekjet e aleatëve evropianë për t'i treguar Presidentit amerikan Donald Trump se po avancojnë drejt objektivave të reja të shpenzimeve të mbrojtjes, me synimin për të shmangur mosmarrëveshje publike gjatë samitit të Ankarasë.
Një burim i njohur me negociatat i tha Reuters se niveli aktual i shpenzimeve të mbrojtjes së Shqipërisë mund të shihet si i pamjaftueshëm nga administrata amerikane nëse samiti i vitit 2027 zhvillohet në Tiranë, duke krijuar publicitet negativ.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare deklaroi për Reuters se draftet nuk përbëjnë vendime përfundimtare dhe se negociatat janë ende në zhvillim.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi raportimin, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se aleanca nuk kishte një reagim të menjëhershëm.
Në samitin e NATO-s në Hagë, vendet anëtare ranë dakord të synojnë 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe masat e lidhura me të brenda dhjetë viteve. Nga kjo, 3.5% duhet të shkojë për nevojat kryesore ushtarake dhe 1.5% për fusha të tjera të sigurisë, si mbrojtja kibernetike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më herët se pothuajse të gjithë aleatët kanë arritur pragun prej 2% të PBB-së. Ai përmendi se Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin përmbushur këtë objektiv gjatë vitit të kaluar, por ishin angazhuar ta tejkalonin në vitin 2026.
Qeveria shqiptare i tha Reuters se po finalizon masat fiskale që do ta çojnë nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë në 2.6% të PBB-së, përfshirë 2.2% për shpenzimet bazë të mbrojtjes dhe 0.4% për shpenzime të tjera të lidhura me sigurinë.
Pavarësisht debatit, një diplomat evropian i tha Reuters se mundësia që Shqipëria të jetë pritëse e samitit të NATO-s në vitin 2027 mbetet e hapur.
"Ata po e rrisin presionin; do të shohim se ku do të përfundojë", citohet të ketë thënë diplomati. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje