TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Korrik 2026, 16:49

"E kam edhe personale", Koçeku mesazh të fortë për Ramën në "Financial Times": Nuk luftojmë për t'u larguar!

Shkruar nga Pamfleti
"E kam edhe personale", Koçeku mesazh të fortë
Marjana Koçeku

Në një postim në rrjetet sociale, deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja”, ka ndarë një intervistë të dhënë për gazetën britanike Financial Times, ku flet për protestat e fundit në Shqipëri, emigracionin dhe vendimin e saj për t'u angazhuar në politikë.

Koçeku shkruan se në intervistë ka shprehur një bindje që, sipas saj, e ka ndjerë dhe përjetuar prej kohësh.

“Në këtë artikull, në Financial Times, kam shpreh atë që e kam ndje prej kohësh dhe që e kam përjetu edhe si histori personale: lufta e brezit tonë nuk asht me kërku nji vend tjetër ma të mirë për me jetu, por me e shndërru në ma të jetueshëm vendin të cilit i përkasim”, shprehet ajo.

Deklarata është interpretuar si një kritikë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kushteve të jetesës në vend.

Çfarë shkruan “Financial Times”:

Artikulli i Financial Times ndalet te protestat që kanë shpërthyer pas kundërshtimeve ndaj projektit të zhvillimit në Zvërnec, duke vënë në dukje se punimet në zonë duket se janë pezulluar përkohësisht.

Gazeta kujton gjithashtu se Parlamenti Evropian, në mesin e qershorit, bëri thirrje për një moratorium mbi të gjitha punimet dhe lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura të Shqipërisë, si dhe kërkoi shfuqizimin e amendamentit të njohur si "me pesë yje".

Sipas artikullit, Koçeku e sheh valën e protestave si një shenjë të ndryshimit të mentalitetit të të rinjve shqiptarë.

“Prindërit tanë na rritën me idenë se lumturia qëndron përtej kufijve, por protestat po tregojnë se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend për të jetuar, në vend të një vendi për t’u larguar”, citohet ajo nga Financial Times.

Artikulli përshkruan edhe rrugëtimin personal të deputetes, e cila është rritur në një fshat të izoluar në veri të Shqipërisë, ku, sipas gazetës, mund të shkohet vetëm me varkë. Ajo studioi në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri për të zhvilluar një projekt të turizmit të qëndrueshëm në shtëpinë e familjes së saj, përpara se të hynte në politikë.

Financial Times thekson se muajin e kaluar Koçeku u largua nga Partia Socialiste për shkak të qëndrimit të saj kundër projektit të vijës bregdetare në Zvërnec, duke u bërë deputetja e vetme e pavarur në Kuvend. Sipas artikullit, ajo ka deklaruar se pas këtij vendimi ka marrë kërcënime.

 

marjana koçeku edi rama

Lini një Përgjigje