TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Korrik 2026, 12:15

Protesta/ Rama flet për problemet në administratë: Njerëzit kanë të drejtë të ndihen të fyer, madje të poshtëruar

Shkruar nga Pamfleti
Protesta/ Rama flet për problemet në administratë: Njerëzit
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e javëve të fundit në kryeqytet, duke u përpjekur t’i lidhë ato me problematika të administratës publike dhe procesin e transformimit të saj, ndërsa shmang adresimin e akuzave për keqqeverisje dhe korrupsion.

Rama theksoi se administrata ndodhet në një proces kompleks ndryshimesh, ndërsa qytetarët, sipas tij, kanë të drejtë të jenë më kërkues për shërbime më të mira.

“Nëse në administratë ku gjendet gjithë ai burim njerëzor që na ka mundësuar ecurinë shembullore me procesin e negociatave, ne kemi sot një kualitet të ri, në administratën shtetërore ne kemi një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve sepse ata kanë të gjithë të drejtën e tyre që të jenë më kërkues dhe të trajtohen shumë më mirë në shumë raste.

Duke qenë se jemi në një moment specifik, intensiv të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni të sjell një episode nga ato që ne po mbledhim për të lexuar si duhet protestën e bulevardit, në atë pjesë të saj që ka rëndësinë e vet themelore, që janë shqetësimet reale të qytetarëve. Ajo që unë e quaj uji i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës, nën atë koren e zezë që është pjesa e zhurmshme dhe e dukshme ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë. Nëna e një shokut tim, ai është pak më i ri se unë, ajo është gjyshe, kishte dalë në protestë. I biri më tregon që ishte alarmuar kur i kishin thënë, sepse ajo është në një moshë të caktuar që në mes të një turme njerëzish, gjëja e parë që të shkon ndërmend është që mund të pengohet, rrëzohet…

Pyet të ëmën dhe i thotë: ç’a shkon ti në protestë? Ajo i tregon atë që besoj unë është thelbi i zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë, si ajo ka dhe të tjerë, njerëzit shkojnë atje që në orën 05:00 të mëngjesit. Presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që duke qenë para në radhë të kenë mundësinë që ai t’i shohë, sepse mjeku e para nuk vjen në orar. E dyta, nuk rri deri në fund të orarit, pasi trajton tre, katër, ikën… Kjo grua në moshë, një gjyshe del në protestë sepse është e fyer! Fjalë e lehtë në fakt, është poshtërim”, deklaroi Rama.

Deklarata e tij, megjithatë, shihet në një kontekst më të gjerë kritik ku problemet e shërbimeve publike, radhët në spitale dhe pakënaqësia qytetare lidhen prej kohësh me keqqeverisjen dhe mungesën e kontrollit real mbi korrupsionin dhe funksionimin e administratës. Protestat e fundit, sipas kritikëve, janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre dështimeve strukturore, të cilat nuk zgjidhen vetëm me retorikë për “reformim të vazhdueshëm”.

rama flet për problemet në administratë

Lini një Përgjigje