TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Protesta para Kuvendit,

Arrestohen 19 persona; procedohen 12 të tjerë

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë pranë Kuvendit të Shqipërisë, duke bërë të ditur se janë arrestuar 19 persona dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë për veprime të ndryshme të kundërligjshme gjatë tubimit.

Të arrestuarit janë: Gentjan Progni, Durim Bami, Kujtim Pervataj, Romario Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani,Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Bici, Altin Hila, Ervin Gega, Arben Lleshaj, Everes Bardhi, Besard Kajmi, Aristotel Elezaj.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë, kanë dëmtuar një automjet policie, ndërsa disa prej tyre kanë sulmuar edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Mes të arrestuarve është edhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, i dyshuar se ka goditur një gazetar gjatë protestës.

Policia bën me dije se nga përplasjet e regjistruara gjatë tubimit kanë mbetur të dëmtuar 15 punonjës policie, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet i Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, 12 shtetas janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të cilët, sipas Policisë, janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme gjatë protestës.

Rama sulmon sërish protestat

Nën koren e zezë janë mbledhur dështakët dhe zemërakët

Kryeministri Rama ka reaguar sërish për protestat e zhvilluara në bulevard, teksa dje ishte dita e 33-të e tubimit.

Rama sulmoi sërish qytetarët dhe u shpreh se përtej shqetësimeve të qytetarëve, në tubime janë përfshirë edhe "dështakët dhe zemërakët".

Gjatë fjalës së mbajtur në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, kreu i qeverisë shtoi se protestat duhet të analizohen në tërësi, pasi, sipas tij, përmbajnë shqetësime reale të qytetarëve dhe elementë të tjerë nga të cilët politika dhe administrata duhet të nxjerrin mësime.

"Transformimi i administratës është një proces mjaft kompleks. Nuk bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me shumë njerëz dhe po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtohemi se ligji i parë themelor i administratës sonë publike është aprovuar një dekadë më parë, atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës kemi dhjetëra mijëra. Ne kemi sot një kualitet të ri në administratën shtetërore, ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve. Duke qenë se jemi në një moment specifik, intensiv, të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni që të sjell këtu një episod nga shumë episode që ne po përpiqemi të lexojmë protestën e bulevardit. Përveç shqetësimeve të qytetarëve që unë e quaj ujin e pastër të protestës, nën atë koren e zezë ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët. Në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar", tha Rama.

Lufta kundër korrupsionit

Kreu i SPAK: Jepni zgjidhje për mandatin e prokurorëve, rrezikohen hetimet

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, ngriti shqetësimin për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit në vitin 2025.

Sipas Brahos, mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore për të ardhmen e prokurorëve të posaçëm mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe të dëmtojë ruajtjen e ekspertizës së krijuar ndër vite brenda SPAK-ut. Ai kujtoi se Kushtetuta parashikon një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi, por theksoi se, pas disa vitesh funksionimi të institucionit, ky model duhet të rivlerësohet.
Kjo çështje është ngritur më herët edhe nga ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili kishte sugjeruar që prokurorëve të posaçëm t’u jepet mundësia e rikandidimit pas përfundimit të mandatit.

Gjatë raportimit, Braho prezantoi edhe të dhënat mbi aktivitetin e SPAK gjatë vitit 2025. Ai bëri të ditur se institucioni ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 577 janë mbartur nga viti 2024 dhe 294 janë çështje të reja. Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve është rritur me 4.9%, ndërsa janë përfunduar 216 procedime.

Braho vlerësoi se korrupsioni vijon të mbetet një fenomen shqetësues, ndërsa theksoi se grupet e krimit të organizuar po operojnë me struktura gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur komunikime të enkriptuara, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme.

SPAK plan të ri për hetimet dhe BKH

Klodian Braho: Jemi në fazën e fundit të thirrjeve për 40 hetues shtesë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, raportoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve mbi aktivitetin e institucionit, duke paraqitur zhvillimet kryesore në hetime, organizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe rezultatet e proceseve gjyqësore.

Braho bëri të ditur se SPAK ka përfunduar hartimin e strategjisë për reduktimin e çështjeve të mbartura për periudhën 2025-2027, duke theksuar se zbatimi i saj ka sjellë rezultate konkrete.

“Jemi në fazën e fundit të thirrjeve për 40 hetues të rinj. Përveç plotësimit të vakancave, synohet riorganizimi i strukturave të BKH-së”, tha Braho.

Gjatë raportimit, ai u ndal edhe te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vënë në dukje zgjerimin e skuadrave të përbashkëta hetimore.

Sa i përket punës së SPAK në gjykatë, Braho tha se treguesit kanë mbetur të qëndrueshëm, ndërsa numri i vendimeve të Gjykatës së Posaçme është rritur me 5.5 për qind.

“87% e vendimeve kanë marrë fajësi nga gjykata”, theksoi kreu i SPAK.

Ai shtoi se rritja e volumit të punës nuk ka ndikuar në cilësinë e hetimeve.

Për më shumë klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

edicion 12:00

Lini një Përgjigje