
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka komentuar raportin mes Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit, pas pyetjeve të ngritura në Komisionin e Ligjeve për operacionet e zhvilluara nga BKH pa asistencën e Policisë, si në rastin e arrestimit të Adi Çobës në Durrës.
I pyetur nga deputeti socialist Erjo Mile nëse veprimet e fundit të BKH-së tregojnë mungesë besimi ndaj Policisë së Shtetit, Braho theksoi se Policia mbetet partneri kryesor i SPAK-ut, por shtoi se ka vend për më shumë angazhim nga ana e saj.
"Referimet e Policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi pasur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin më të madh për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo të jetë nën dyshimet tona. Policia e Shtetit është partneri ynë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne. Suksesi ynë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë", deklaroi Braho.
Teksa ka folur për operacionet e BKH-së në terren, kreu i SPAK sqaroi se ligji i jep kësaj strukture të drejtën të kryejë edhe arrestime, ndërsa theksoi nevojën që institucioni të ketë pavarësi në operacione të caktuara.
"Veprimet që mund të kryejë BKH, edhe për arrestimet e personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH-së. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S'duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera me të cilat bashkëpunojmë", u shpreh Braho.
Lini një Përgjigje