Eliminimi i hershëm i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 ka sjellë ndryshime të menjëhershme në drejtimin e kombëtares. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka zyrtarizuar largimin e trajnerit Julian Nagelsman, duke i dhënë fund bashkëpunimit pas dështimit në fazën e 1/16-ve.
Trajneri 38-vjeçar mori përgjegjësinë për rezultatin zhgënjyes, duke theksuar se kombëtarja ka nevojë për një fillim të ri. Në mesazhin e tij të lamtumirës, ai falënderoi lojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen gjatë periudhës që drejtoi ekipin.
Sipas marrëveshjes së arritur mes palëve, Nagelsman do të përfitojë 7 milionë euro si dëmshpërblim, gjysmën e shumës prej 14 milionë eurosh që do të kishte përfituar nëse do të qëndronte deri në përfundim të kontratës.
Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur te emri i pasuesit të tij. Mediat gjermane raportojnë se kandidati kryesor mbetet Jyürgen Klop, i cili thuhet se është i gatshëm të marrë drejtimin e kombëtares nëse DFB-ja i paraqet një ofertë zyrtare.
Klop, aktualisht drejtues global i futbollit në kompaninë Red Bull, raportohet se ka një klauzolë në kontratën e tij që i lejon largimin në rast të një oferte nga përfaqësuesja gjermane.
Ndërkohë, ndryshimet në DFB pritet të mos kufizohen vetëm te posti i trajnerit. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, bordi mbikëqyrës i Federatës është mbledhur në një videokonferencë për të diskutuar edhe të ardhmen e drejtorit sportiv Rudi Fëler dhe drejtorit të përgjithshëm Andreas Retig.
Mbetet për t'u parë nëse Federata Gjermane e Futbollit do të arrijë marrëveshjen me Klopin, një nga trajnerët më të suksesshëm të viteve të fundit, për t'i besuar atij misionin e rikthimit të Gjermanisë në elitën e futbollit botëror.
Lini një Përgjigje