
As arrestimet, as dhuna nuk i ndalën! Protesta kombëtare mbush sërish bulevardin
Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" është "skuqur" këtë të shtunë nga mijëra qytetarë që i janë bashkuar protestës kombëtare, duke e bërë ndër më masivet që prej nisjes së lëvizjes qytetare 35 ditë më parë.
Qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora kanë mbushur sheshin përpara Kryeministrisë, duke i dhënë protestës një tjetër dimension. Ajo që nisi si reagim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër kastës politike, me protestuesit që kërkojnë ndryshim të sistemit dhe largimin e klasës së vjetër politike.
Atmosfera në bulevard dominohet nga flamujt kuqezi, ndërsa në duart e shumë protestuesve valëviten edhe flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prania e tyre nuk është rastësore. Sot shënohet 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, ndaj shumë pjesëmarrës kanë zgjedhur ta lidhin simbolikisht protestën me idealet e lirisë dhe demokracisë.
Në mesin e turmës dëgjohen vazhdimisht thirrjet “Ju erdhi fundi”, "Revolucion", "Rama në burg, Berisha në burg", "Dorëheqje", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", por edhe "Lironi çunat", në mbështetje të protestuesve që vijojnë të mbahen në qeli pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së së enjtes para Kuvendit.
Pjesëmarrja e diasporës është një nga elementët që ka spikatur në protestën e sotme. Shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme janë bashkuar me qytetarët në Tiranë, duke iu përgjigjur thirrjes së organizatorëve për një protestë kombëtare.
Ndryshe nga ditët e para, kur protesta ishte e fokusuar te mbrojtja e Zvërnecit dhe kundërshtimi i ndërtimeve në zonat e mbrojtura, sot mesazhi i protestuesve është zgjeruar. Nga podiumi dhe në pankarta, ata e paraqesin lëvizjen si një revoltë kundër mënyrës se si është qeverisur vendi ndër vite, duke kërkuar një "Shqipëri të re" dhe fundin e asaj që e cilësojnë si kastë politike.
Lini një Përgjigje