TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2026, 20:35

"Diktatori i fundit"/ Protestuesit mesazh Ramës, rrëzojnë para Kryeministrisë bustin e tij (Video)

Shkruar nga Pamfleti
"Diktatori i fundit"/ Protestuesit mesazh Ramës,
Rrëzohet busti i Ramës

Simbolika e protestës kombëtare u pasua me një tjetër akt, ku qytetarët e krahasuan rrëzimin e bustit me shembjen e monumentit të diktatorit Enver Hoxha

Protesta kombëtare e ditës së 35-të para Kryeministrisë është shoqëruar me një tjetër akt simbolik nga qytetarët, të cilët vijojnë të përdorin performanca dhe instalacione për të përcjellë mesazhet e tyre politike.

Pas tortës së ditëlindjes, ku i kërkohej Edi Ramës të jepte dorëheqjen dhe të "merrte me vete edhe Saliun", pas nxjerrjes së një "torte prej betoni" dhe "arkivolit politik" të kryeministrit, protestuesit kanë shfaqur edhe një bust që, sipas tyre, përfaqësonte Edi Ramën.


Bustit iu vendos simbolikisht emërtimi "Busti i fundit i diktaturës", ndërsa më pas protestuesit e rrëzuan mes brohoritjeve të turmës.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, akti ishte frymëzuar nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, duke e paraqitur si simbol të përfundimit të një epoke politike.

Momenti u prit me duartrokitje dhe thirrje nga mijëra qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë, në protestën që deri më tani konsiderohet më masivja që prej nisjes së lëvizjes qytetare.

Protesta e sotme është shoqëruar nga një sërë simbolikash dhe performancash, ndërsa në bulevard kanë dominuar thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg", "Revolucion", "Shqipëri e re", "Dorëheqje" dhe "Lironi çunat", duke e paraqitur lëvizjen si një revoltë jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër gjithë kastës politike.

 

rama busti

Lini një Përgjigje