Nga protesta kombëtare, aktivisti Edison Lika, reagoi pas deklaratave të ministrit të Brendshëm për avokatin e protestuesve, Gentian Serjani
Protesta kombëtare para Kryeministrisë është shoqëruar edhe me një reagim të ashpër ndaj ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.
Nga podiumi i protestës, aktivisti Edison Lika iu përgjigj deklaratave të ministrit, i cili hodhi poshtë akuzat e avokatit Gentian Serjani për dhunë ndaj një protestuesi të arrestuar në Komisariatin nr. 3 dhe paralajmëroi se, nëse pretendimet rezultojnë të pavërteta, rasti mund të referohet në Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Lika akuzoi Lamallarin se po sulmon avokatët që mbrojnë protestuesit dhe i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë nga protesta.
"Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, që shtrëngonte kollaren kur e emëroi Rama, sot pati guximin të merret me avokatët. I themi edhe Besfortit, të erdhi fundi! Atë kostumin me kollare do të ta zëvendësojmë me rrobat e burgut!", deklaroi Lika.
Deklarata vjen pasi ministri Lamallari reagoi ndaj pretendimeve të avokatit Gentian Serjani, i cili kishte deklaruar se një protestues i arrestuar, që sipas tij vuan nga epilepsia, ishte dhunuar në ambientet e komisariatit.
Lamallari i cilësoi këto akuza "totalisht të pabaza dhe të pavërteta", bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur verifikimet dhe shtoi se edhe Avokati i Popullit nuk kishte konstatuar problematika gjatë vizitës te të ndaluarit. Ministri paralajmëroi gjithashtu se, nëse pretendimet rezultojnë të pavërteta, Policia e Shtetit do të ketë të drejtën të referojë rastin në prokurori, si edhe në Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Reagimi i Likës u prit me brohoritje nga protestuesit, ndërsa në ditën e 35-të të protestës kombëtare vijojnë thirrjet për lirimin e të arrestuarve pas përplasjeve me policinë dhe kërkesat për largimin e qeverisë.
Lini një Përgjigje