
Marshimi i protestuesve në Tiranë vijon me pjesëmarrje masive, ndërsa rrugët e kryeqytetit janë mbushur me qytetarë që i janë bashkuar protestës së 35-të mbarëkombëtare kundër qeverisë.
Edhe pse një pjesë e protestuesve kanë mbërritur pranë rrugës "Mine Peza", ku ndodhen në paraburgim protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së së enjtes, pjesa tjetër e turmës vijon të marshojë nga qendra e Tiranës. Kolona e qytetarëve shtrihet për kilometra, duke krijuar një varg të pandërprerë në rrugët e kryeqytetit.
Burra, gra, të rinj, fëmijë dhe të moshuar janë bërë pjesë e marshimit, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola, ndërsa brohorasin njëzëri thirrje kundër qeverisë.
Me sloganin "Lironi çunat", protestuesit kërkojnë lirimin e personave të arrestuar, të cilët aktualisht po mbahen në paraburgimin e rrugës "Mine Peza", në pritje të seancës për masën e sigurisë që do të zhvillohet të nesërmen.
Protestuesit shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen dhe se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave.
Lini një Përgjigje