TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 22:07

Avokati i Popullit: Të lirohet menjëherë protestuesi që vuan nga epilepsia, qëndrimi në qeli i rrezikon jetën

Shkruar nga Pamfleti

Avokati i Popullit: Të lirohet menjëherë protestuesi që vuan

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me rastin e qytetarit për të cilin u pretendua se ishte dhunuar në ambientet e Bllokut të Sigurisë, duke bërë me dije se deri në këtë fazë të verifikimeve nuk janë konstatuar prova që mbështesin këto pretendime. Megjithatë, institucioni vlerëson se gjendja shëndetësore e të arrestuarit nuk lejon vijimin e qëndrimit në qeli dhe i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës rishikimin e menjëhershëm të masës së sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, katër ndihmës komisionerë u angazhuan për verifikimin e rastit. Fillimisht ata u paraqitën në QSUT, ku gjendja shëndetësore e qytetarit nuk bëri të mundur intervistimin e tij. Më pas, grupi i verifikimit zhvilloi inspektime në Bllokun e Sigurisë, duke marrë dëshmi nga punonjësit e policisë dhe persona të tjerë të arrestuar. Pas transferimit të qytetarit në Spitalin e Traumës, u mor edhe deklarimi i tij.

Nga dokumentacioni i administruar deri tani, Avokati i Popullit thotë se nuk rezultojnë prova që konfirmojnë ushtrimin e dhunës në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Institucioni shton se qytetari ishte intervistuar edhe një ditë më parë dhe, sipas deklarimit të tij me shkrim, nuk kishte ngritur pretendime për dhunë gjatë ndalimit, shoqërimit, qëndrimit në komisariat apo në Bllokun e Sigurisë.

Gjithashtu, gjatë verifikimeve është konstatuar se qytetari ka kaluar disa episode krizash shëndetësore të lidhura me sëmundjen nga e cila vuan. Për këtë arsye, Avokati i Popullit vlerëson se mbajtja e tij në qeli përbën rrezik për shëndetin dhe bie ndesh me standardet e nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Verifikimet vijojnë ende, ndërsa institucioni ka kërkuar administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në ambientet ku mbahej qytetari. Paralelisht, i është kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës të rishqyrtojnë masën e sigurisë dhe ta zëvendësojnë atë me një masë tjetër, në përputhje me gjendjen shëndetësore të të arrestuarit.

avokati i popullit epilepsi te proceduar protestues

Lini një Përgjigje