TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 19:03

Shkundet Rama dhe kasta politike/ Diaspora zbret sërish në shesh, me mijëra persona 'derdhen' para Kryeministrisë

Shkruar nga Pamfleti
Shkundet Rama dhe kasta politike/ Diaspora zbret sërish në shesh, me
Nis protesta e 35-të

Pamje magjepsëse para Kryeministrisë, shqiptarët mbushin sheshin bulevardi “Dëshmorët e Kombit’. Kërkojnë pa asnjë kompromis dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e kastës politike

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit’ është ndezur flakë me flamuj dhe pankarta, në ditën e 35-të para Kryeministrisë. Ndryshe nga tubimet e përjavshme, protesta e sotme është mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe të shqiptarëve të ardhur nga diaspora.

Autokolana me mijëra makina kanë mbërritur në Tiranë pasditen e sotme, ku pritet t’i bashkohen protestës. Pjesëmarrja pritet të jetë masive, ashtu siç edhe është paralajmëruar.

Që në orët e para të pasdites, grupe protestuesish nga qytete të ndryshme të Shqipërisë nisën të mbërrijnë në Tiranë, ndërsa një fluks i madh automjetesh u regjistrua në hyrjet e kryeqytetit. Autokolona të gjata u krijuan në akset hyrëse të Tiranës, ku mijëra qytetarë që udhëtuan nga vende të ndryshme të Europës iu drejtuan sheshit të protestës.

Sipas organizatorëve, shqiptarë nga Zvicra, Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Austria dhe vende të tjera europiane kanë udhëtuar për t'iu bashkuar protestës, duke e cilësuar praninë e diasporës si një mesazh se pakënaqësia ndaj situatës në vend shkon përtej kufijve të Shqipërisë.

Atmosfera në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është karakterizuar nga valëvitja e flamujve kuqezi, pankarta me mesazhe politike dhe brohoritje të vazhdueshme kundër qeverisë. Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë janë dëgjuar edhe thirrje si "Rama në burg, Berisha në burg", ndërsa protestuesit kanë deklaruar se synimi i tyre është ndryshimi i klasës politike.

Qytetarët e pranishëm shprehen se kanë dalë në shesh për të kërkuar pa asnjë kompromis dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se protesta do të vijojë deri në realizimin e kësaj kërkese. Sipas tyre, tubimi i sotëm synon të jetë një demonstrim force qytetare dhe një mesazh se protestat nuk do të ndalen.

Përfaqësues të diasporës theksuan se pjesëmarrja e tyre në protestën mbarëkombëtare nuk është e drejtuar vetëm kundër qeverisë, por përfaqëson, sipas tyre, një reagim ndaj të gjithë klasës politike. Ata u shprehën se kjo është "një luftë kundër gjithë kastës politike", duke argumentuar se përgjegjësia për situatën në vend nuk i takon vetëm një force politike.

Krahas flamujve kombëtarë shqiptarë, në tubim janë parë edhe flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Organizatorët kanë deklaruar se kjo është një nga protestat më të mëdha të zhvilluara deri më tani, duke nënvizuar se mobilizimi është mbështetur jo vetëm nga qytetarët brenda vendit, por edhe nga komunitetet shqiptare që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Në perimetrin e Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera qendrore janë vendosur forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat po monitorojnë zhvillimin e protestës dhe po zbatojnë planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë./ Pamfleti

 

 

protesta marshim diaspora

Lini një Përgjigje