Protesta e 35-të mbarëkombëtare kundër qeverisë para Kryeministrisë është shoqëruar edhe me thirrje për përshkallëzimin e aksionit protestues.
Një prej protestuesve, duke folur nga podiumi, deklaroi se protesta duhet të vijojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kërkoi mobilizim më të madh të qytetarëve.
Ai u bëri apel shqiptarëve të diasporës që të mos largohen pas protestës së kësaj të shtune, por të qëndrojnë në Shqipëri për t'iu bashkuar protestuesve në ditët në vijim.
"Protesta do të vijojë derisa ky të japë dorëheqjen. Diaspora të mos vijë vetëm deri të shtunën, por çdo ditë derisa ta shporrim. Diaspora të qëndrojë këtu me qëndrestarët," u shpreh ai.
Në fjalën e tij, protestuesi paralajmëroi edhe përshkallëzim të formave të protestës, duke deklaruar se, sipas tij, nevojiten veprime më të forta kundër institucioneve shtetërore.
"Nuk ikën Rama me lule, as Berisha. Duhet të bllokojmë institucionet e të mos i lejojmë të hyjnë. Institucionet i përdorin për pazaret e tyre dhe jo për Shqipërinë," deklaroi ai.
Deklaratat u bënë gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku marrin pjesë qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët kërkojnë ndryshime politike dhe vijimin e protestave.
Lini një Përgjigje