Kimi Antoneli regjistroi një fitore mbresëlënëse në garën Sprint të Çmimit të Madh të Britanisë, duke lënë pas Luis Hemiltonin pas një parakalimi vendimtar në xhiron e nëntë në pistën “Hangar Straight”. Piloti italian e mbajti kryesimin deri në fund të garës prej 17 xhirosh, duke festuar suksesin e tij të parë në një garë Sprint.
Hemilton, i cili e nisi garën nga pole position, u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Antoneli, përveç triumfit, regjistroi edhe xhiron më të shpejtë të garës. Parakalimi i tij u favorizua nga përdorimi efikas i sistemit të rikuperimit të energjisë (ERS) në një segment të pistës ku manovra të tilla janë konsideruar tradicionalisht të vështira.
Në vendin e tretë u rendit Lando Norris, i cili arriti të mbrojë pozicionin në podium përballë sulmeve të Xhorxh Rasëll, që e mbylli garën i katërti. Sharls Lëklerk, pas një starti jo të mirë, përfundoi në vendin e pestë, përpara Maks Vershtapen dhe Oskar Piastrit.
Pikën e fundit të vlefshme për renditjen e Sprintit e fitoi Liam Lauson me Racing Bulls. Isak Hadjar dhe debutuesi Arvid Lindblad plotësuan dhjetëshen e parë, ndërsa pilotët e Alpine, Pier Gasli dhe Franko Kolapinto, mbetën jashtë zonës së pikëve, duke u renditur përkatësisht në vendin e 11-të dhe të 12-të.
Falë këtij suksesi, Antoneli konsolidon pozitën në krye të renditjes së Kampionatit Botëror. Piloti italian kryeson me 179 pikë, i ndjekur nga Xhorxh Rasëll me 136 pikë dhe Luis Hemilton me 132 pikë.
Lini një Përgjigje