Deputetja Marjana Koçeku e cila shpalli 'divorcin poltik' me PS, i ka përcjellë një mesazh kryeministrit Edi Rama nga Parlamenti Europian lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë, duke vënë theksin te rëndësia që do të ketë Kapitulli 27 i negociatave, i cili lidhet me mjedisin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku bëri të ditur se zhvilloi një takim me eurodeputetin Thomas Waitz, me të cilin diskutoi për situatën politike në Shqipëri, sfidat mjedisore që sollëm protestat kundër qeverisë si dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Me eurodeputetin z. Thomas Waitz, nji ndër figurat ma të spikatuna të Parlamentit Evropian në mbrojtje të mjedisit dhe biodiversitetit.
Si ish-anëtar i Delegacionit për Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, z. Waitz e njeh mirë realitetin shqiptar dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
Ai ka qenë ndër eurodeputetët e parë që ka mbështetë kauzat mjedisore shqiptare dhe u ka dhanë zâ ndërkombëtar atyne. Kontributi i tij për vendin tonë vazhdon me mbetë tejet i randësishëm.
Gjatë takimit diskutuem për situatën politike në Shqipni, sfidat mjedisore dhe procesin e integrimit evropian, sidomos për Kapitullin 27 të negociatave që lidhet drejtpërdrejt me mjedisin.
I shpreha mirënjohje për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për gadishmërinë me e përforcu pozitën e Shqipnisë krahas vendeve të Bashkimit Europian”, shkruan Koçeku.
Në reagimin e saj, deputetja nënvizon se çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit do të jenë pjesë e rëndësishme e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, duke lënë të kuptohet se progresi në këtë fushë do të monitorohet nga institucionet evropiane gjatë rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Lini një Përgjigje