TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2026, 18:15

Tallej me Erdoganin, komediani Deniz Goktas lihet në qeli; akuzohet për fyerjen e Presidentit

Shkruar nga Pamfleti
Tallej me Erdoganin, komediani Deniz Goktas lihet në qeli; akuzohet
Komendiani i arrestuar

Autoritetet turke e akuzojnë komedianin për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe të vlerave fetare. Ai i mohon akuzat.

Një gjykatë në Turqi vendosi paraburgimin e komedianit stand-up Deniz Goktas deri në zhvillimin e gjykimit të tij, ndërsa ai përballet me akuza për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe të vlerave fetare, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Reuters.

Goktas, i njohur për shfaqjet e tij satirike që numërojnë miliona shikime në internet, u arrestua më 2 korrik në aeroportin e Stambollit, pas kthimit nga një udhëtim jashtë vendit.

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit njoftoi se ka marrë 185 ankesa lidhur me shfaqjet e komedianit dhe se ka nisur hetime për "fyerje publike të vlerave fetare të Turqisë".

Në shfaqjet e tij, Goktas trajton me satirë zhvillimet politike në vend, duke përfshirë referenca ndaj presidentit Erdogan dhe rivalit të tij kryesor politik, ish-kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Një prej shfaqjeve të tij, e mbajtur më 1 qershor në Stamboll, u publikua në YouTube më 24 qershor në formën e një videoje 90-minutëshe dhe deri tani ka grumbulluar afro nëntë milionë shikime.

Më herët gjatë kësaj jave, Prokuroria e Stambollit njoftoi gjithashtu nisjen e një hetimi për "gjuhë fyese që përbën vepër penale" në përmbajtje të publikuara nga Goktas në rrjetet sociale. Sipas prokurorëve, hetimi lidhet me pretendimet se gjatë shfaqjes së 1 qershorit ai ka fyer vlerat fetare, duke bërë referenca ndaj Erdoganit, Kuranit dhe İmamoğlut.

Avokati i komedianit, Metin Aslan, bëri të ditur në rrjetet sociale se akuza për fyerje të presidentit është një nga veprat penale për të cilat po hetohet klienti i tij.

Një numër zyrtarësh dhe anëtarësh të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në pushtet, si dhe këshilltarë të presidentit, e kritikuan publikisht Goktasin, duke e akuzuar se ka tallur presidentin Erdogan dhe Kuranin.

Në dëshminë e tij para policisë, sipas televizionit Habertürk, Goktas i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se batutat e tij nuk përbëjnë fyerje ndaj vlerave fetare apo Kuranit. Ai shtoi se përdorimi i termit "diktator" për Erdoganin ishte një karakterizim politik dhe jo një fyerje.

Pas spekulimeve se ishte larguar nga Turqia për t'iu shmangur ndjekjes penale, Goktas sqaroi në një postim se kishte udhëtuar jashtë vendit për pushime dhe kishte planifikuar të kthehej.

"Kam ndërmend të jetoj edhe për shumë vite në Turqi dhe, nëse paraqitet ndonjë situatë që kërkon praninë time, do të kthehem me fluturimin e parë", shkroi ai.

 

komediani arrestim turqi goktas

1 Komente

  1. S
    STUDIO

    nje hap larg jane dhe dyshja jone RAMA SALI ...e kan ne sirtare draftin projekt ligjin e shpifjeve kundrejt pushtetit....ERDOGAN KERMA

    Lini një Përgjigje