TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 18:46

KShH: Hetim për përdorimin e forcës, deputetët e Rama të shmangin gjuhën stigmatizuese ndaj protestuesve

Shkruar nga Pamfleti

KShH: Hetim për përdorimin e forcës, deputetët e Rama

Organizata ngre shqetësime për përdorimin e gazit lotsjellës pa paralajmërim dhe dhunën ndaj protestuesve të neutralizuar, ndërsa dënon edhe aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë...

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar pas monitorimit në terren të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 para Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për atë që e cilëson përdorim joproporcional të forcës nga punonjësit e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në deklaratën e tij, KShH rikujton se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas organizatës, detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin e protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u përballur me përdorim të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Sipas monitorimit të KShH-së, protesta kishte karakter kryesisht paqësor për një periudhë të gjatë dhe aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t'u atribuohen të gjithë pjesëmarrësve. Organizata i referohet edhe praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës incidente të izoluara nuk ia heqin një tubimi karakterin paqësor dhe nuk cenojnë të drejtat e protestuesve që nuk ushtrojnë dhunë.

KShH vëren se situata ndryshoi pas incidentit me automjetet që tentuan të largoheshin nga ambientet e Kuvendit. Sipas organizatës, forcat e policisë kaluan brenda një kohe të shkurtër nga menaxhimi i një situate të qetë në rrethimin dhe shtyrjen e protestuesve, për të vijuar më pas me përdorimin e gazit lotsjellës.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura lidhet me përdorimin e gazit lotsjellës, i cili, sipas monitorimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik dhe nuk iu dha protestuesve kohë e arsyeshme për t'u shpërndarë vullnetarisht. KShH thekson se mjete të tilla duhet të përdoren vetëm si masë e fundit, në mënyrë të domosdoshme dhe proporcionale, duke iu referuar edhe standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe legjislacionit shqiptar.

Organizata shpreh gjithashtu shqetësim për rastet e konstatuara të përdorimit të forcës ndaj personave që, sipas saj, ishin neutralizuar dhe ndodheshin të shtrirë në tokë. Sipas KShH-së, përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve apo formave të tjera të forcës ndaj personave që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe duhet të hetohet në mënyrë të menjëhershme, të pavarur dhe efektive.

Në deklaratë përmenden edhe pretendime për mungesë të kujdesit të menjëhershëm ndaj personave të ndaluar që kishin probleme shëndetësore, duke theksuar detyrimin e autoriteteve për të garantuar trajtim dhe asistencë mjekësore në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Njëkohësisht, KShH nënvizon se Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, por thekson se përdorimi i forcës duhet të mbetet gjithmonë mjeti i fundit dhe të ushtrohet vetëm ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. Organizata shton se as dhuna ndaj punonjësve të policisë nuk mund të justifikohet, ashtu siç nuk mund të justifikohet edhe dhuna e policisë ndaj protestuesve.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës. Gjithashtu, organizata u kërkon Policisë së Shtetit që në protestat e ardhshme përdorimi i forcës të paraprihet nga komunikimi dhe paralajmërimi i qartë, ndërsa organizatorëve të protestave u bën thirrje të distancohen nga çdo akt dhune.

KShH u kërkon edhe përfaqësuesve të institucioneve publike të shmangin publikimin e materialeve që, sipas saj, nuk pasqyrojnë të plotë dinamikën e ngjarjeve dhe të evitojnë gjuhën që stigmatizon në mënyrë kolektive protestuesit.

Kryeministri Edi Rama në ditët e fundit ka nisur një fushatë në rrjetet sociale ndaj protestuesve të veçantë, e cila pasohet më pas nga deputetët e PS-së, që ose ripostojnë të njëjta informacione që shpërndan kreu i qeverisë, ose zgjerojnë stigmatizimin ndaj protestuesve. 

 

kshh protesta dhuna deputete

Lini një Përgjigje