TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 16:05

Alarmi i ish-prokurorit Karanxha: SPAK po heton dosjet e vjetra të drogës, jo krimin kur ndodh!

Shkruar nga Pamfleti
Alarmi i ish-prokurorit Karanxha: SPAK po heton dosjet e vjetra të
Ervin Karanxha

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka kritikuar mënyrën se si organet e drejtësisë kanë trajtuar çështjet e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Ai deklaroi se shumë prej dosjeve që po hetohen sot lidhen me ngjarje të ndodhura 7-8 vite më parë, duke e cilësuar këtë një tregues të mungesës së reagimit në kohën e duhur.

Sipas tij, vonesat në hetime kanë sjellë pasoja jo vetëm për luftën kundër krimit, por edhe për qytetarët dhe investitorët e ligjshëm.

"Siç e kemi në dëgjime të ardhura, presidenti Trump, administrata e Trump ndaj drogës ka tjetër qasje. Pra ndaj karteleve, dhe droga dhe trafiku i drogës dhe të ardhurat që vijnë nga droga janë trajtuar si akte terroriste dhe të ardhurat që vijnë nga aktet terroriste dhe kanë prioritet të veçantë.

Në Shqipëri, për hir të së vërtetës, ka pasur problematika në lidhje me trafikun e drogës. Por po konstatojmë që organet e ndjekjes penale në Shqipëri kryesisht kanë proceduar për ngjarje të vjetra. Për shembull, takimi i rrugës që diskutohet është i vitit 2018, 2019, pra 7-8 vite më parë. Edhe dosjet që aktualisht po hetohen janë dosje të vjetra.

Lind pyetja, pse nuk është proceduar më parë për këto çështje penale? Megjithatë, unë jam për atë që kur një person procedohet penalisht duhet të ketë prova. Duhet të ketë dyshim të arsyeshëm të bazuar dhe prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Pra këto prova kanë qenë aty dhe nuk është proceduar. Ose nuk ka pasur prova dhe tashmë, me të njëjtin brumë, si të thuash, po bëjmë përsëri petra. Çfarë veprimesh janë bërë? Sepse nuk mund të quhet veprim hetimor diçka që ka ardhur nga jashtë.

Megjithatë, në fushën e trafikut të drogës kemi një punë të dobët nga organet e ndjekjes penale, sepse duhet të procedohet që në fillim, jo kur të vijnë pasojat."-tha prokurori.

Sipas ish-prokurorit, mungesa e hetimeve në kohën e duhur ka bërë që efektet e trafikut të drogës të shtrihen në ekonomi, ndërsa sekuestrimet e mëvonshme të pasurive të prekin edhe qytetarët që kanë investuar me të ardhura të ligjshme.

"Sepse tashmë, në tregun e brendshëm, lidhja e parave që vijnë nga lëndët narkotike me investimet sjell pasoja të rënda.

Ti, bashkë me paratë e dyshuara, bllokon edhe investimet ku mund të ketë qytetarë të ndershëm. Pra dëmton ekonominë e vendit, sepse futen paratë e drogës në biznes, por dëmton edhe ata që janë investitorë të ligjshëm në një pallat. Kur e sekuestron një pallat, e sekuestron të gjithin dhe cenimi i interesave të shqiptarëve është evident.

Pra, përveç dëmit që sjellin paratë e drogës, dëmtohen edhe ata që janë investitorë të ligjshëm. Çfarë kuptojmë me investitorë të ligjshëm? Ata që kanë punuar gjithë jetën jashtë shtetit, në Greqi apo Itali, kanë siguruar të ardhura të ligjshme dhe kanë blerë një apartament. Tani u kërkohet të provojnë gjithçka, ndërsa prona e tyre mbetet e bllokuar.

Pra kemi pasoja edhe për qytetarët, sepse këto para vijnë nga droga, ndërsa edhe sekuestrimet e fundit lidhen me dosje të vjetra, të viteve 2019 dhe 2020."-shtoi ai.

I pyetur për rezultatet në luftën kundër pastrimit të parave dhe rolin e SPAK-ut, Karanxha u shpreh se kjo vepër penale kërkon hetime të specializuara dhe prova të forta, duke shtuar se largimi i magjistratëve me përvojë ka ndikuar negativisht në eficiencën e sistemit.

"Veprën penale të pastrimit të parave nuk e heton vetëm SPAK-u, por edhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Është një vepër penale që paraqet dinamikat e veta dhe është shumë e vështirë për t'u provuar, sepse duhen prova. Prova është gjë tjetër dhe dyshimi është gjë tjetër.

Kjo kërkon punë dhe specialistë që të merren me mungesën e justifikimit të parave në një investim. Kur bëhet një investim duhet parë burimi i parave dhe diferenca, pra nga janë siguruar ato fonde. Kjo është ajo që duhet të provohet, por kjo kërkon punë, nuk mjaftojnë fjalët.

Një nga arsyet e rënies së rezultateve në fushën e pastrimit të parave është edhe largimi i magjistratëve dhe profesionistëve nga sistemi. Ata kishin vite përvojë në ndjekjen penale dhe njihnin mirë mënyrën se si hetohen këto vepra penale."-përfundoi Karanxha.

ervin karanxha krimi parate e droges

1 Komente

  1. B
    Babloku

    Vetem Kur e nigjon tu fol neper studio kete gjoja ish prokuror tregon nivelin se ku ndodhet sistemi i drejtesise

    Lini një Përgjigje