Vala e të nxehtit që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës ka shtuar shqetësimet për sigurinë e fëmijëve gjatë ditëve me temperatura ekstreme. Pediatrit u bëjnë thirrje prindërve të mos lënë asnjëherë fëmijët vetëm brenda automjeteve, pasi edhe një qëndrim i shkurtër mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin.
Sipas presidentit të Shoqatës Italiane të Pediatrisë, Rino Agostiniani, organizmi i fëmijëve ka aftësi më të kufizuara për të rregulluar temperaturën e trupit dhe ata janë më të rrezikuar nga dehidratimi dhe goditja nga i nxehti. Për më tepër, sidomos në vitet e para të jetës, fëmijët nuk janë në gjendje të kuptojnë apo të shprehin shenjat e para të rrezikut.
Ekspertët theksojnë se, kur temperatura e jashtme është rreth 34 gradë Celsius, ajo brenda një makine të mbyllur mund të arrijë deri në 52 gradë për vetëm 20 minuta, edhe nëse automjeti nuk është i parkuar nën rrezet direkte të diellit.
Goditja nga i nxehti konsiderohet një urgjencë mjekësore dhe ndodh kur organizmi nuk arrin më të kontrollojë temperaturën e trupit, e cila mund të kalojë 41 gradë Celsius. Nëse nuk trajtohet menjëherë, kjo gjendje mund të shkaktojë dëmtime serioze në tru dhe, në raste të rënda, të jetë fatale.
Për të shmangur rreziqet, pediatrit rekomandojnë që fëmijët të vishen me rroba të lehta, të shmangin aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të parandaluar dehidratimin.
Mjekët theksojnë se masat parandaluese janë thelbësore gjatë verës dhe u bëjnë apel prindërve që të mos lënë asnjëherë fëmijët vetëm në automjet, qoftë edhe për pak minuta.
Lini një Përgjigje