TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Korrik 2026, 11:33

“Albatrosi” shqiptar i Jared Kushnerit!

Shkruar nga Matt Stieb
“Albatrosi” shqiptar i Jared Kushnerit!
Revolucioni i Flamingove /

I ngarkuar për t’i dhënë fund luftërave jashtë vendit, dhëndri i Trumpit ndezi pa dashje “Revolucionin e Flamingos” në Ballkan...

Zakonisht Shqipëria nuk përmendet në fjalimet elektorale për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Por, duke kërkuar rizgjedhjen para mbështetësve në Savannah të shtetit të Xhorxhias, senatori Xhon Osof tregoi historinë e një “ishulli të vogël e të bukur në brigjet shqiptare, të quajtur Sazan”, një “thesar kombëtar” që përmban “disa nga vijat bregdetare më të paprekura të Mesdheut”.

Sipas tij, ky ishull ishte lakmuar nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilin ai e quajti një “princ amerikan”, pasi kishte marrë miratime të përshpejtuara për ta kthyer atë në një resort luksoz. “A mendoni se Jared Kushner do të kishte privilegje të veçanta për të blerë një ishull nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit? A nuk duhet të merret me diplomaci dhe jo me marrëveshje të dyshimta për toka?”, pyeti Osof.

Historia e Osofit për skandalin e pretenduar korruptiv në Shqipëri, e cila përforconte mesazhin e demokratëve se Donald Trump dhe familja e tij kanë përfituar shumë që prej rikthimit të tij në pushtet, kishte një ton krejt ndryshe nga rrëfimi i Ivanka Trumpit për Sazanin.

Gjatë një daljeje në një podcast më 31 maj, Trump tregoi se në vitin 2024 kishte qenë në “jahtin e një miku”, që i përkiste financierit Nat Rothschild, në Detin Adriatik, kur kishte zbritur dhe kishte eksploruar ishullin.

“Në fakt, kështu e zbuluam”, tha ajo. Sazani, një copëz mahnitëse toke brenda një zone të mbrojtur detare, është një nga ishujt më të mëdhenj të pabanuar në Mesdhe dhe, gjatë historisë, ka kaluar nga një fuqi e madhe te tjetra.

Pasi u ngjit zbathur në majë të ishullit, Trump kuptoi se ajo dhe Kushner donin të bënin aty investimin e radhës. “Nuk është thjesht biznes për mua. Është më shumë një sfidë se çdo gjë tjetër”, u shpreh ajo.

Nuk ishte koha më e mirë që Trump të fliste për mënyrën se si kishte zbuluar një ishull në vendin e nëntë më të varfër në Evropë, i cili do t’i lejonte asaj të rikthehej te “rrënjët e saj në pasuritë e paluajtshme”.

Për javë të tëra, shqiptarët kishin protestuar kundër projektit në Sazan dhe mënyrës së si qeveria e kryeministrit Edi Rama i kishte dhënë Kushnerit dhe partnerëve të tij një marrëveshje prej 1.6 miliardë dollarësh për zhvillimin e ishullit dhe të një zone ligatinore të sapomiratuar në territorin tokësor, lagunës së Vjosë-Nartës.

Kjo zonë strehon qindra shpendë shtegtarë, përfshirë flamingon, dhe përfaqëson deltën e vetme të mbetur të një lumi të egër (një rrjedhë ujore krejtësisht pa diga apo kanale artificiale) në Evropë, jashtë Rusisë. Ndërkohë, buldozerët po mbërrinin për të shkulur pemët dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të hotelit.

Dalja e Trump në podcast solli vëmendje ndërkombëtare ndaj lëvizjes protestuese pikërisht kur ajo po përhapej nga bregdeti shqiptar drejt kryeqytetit, Tiranës. Për më shumë se një muaj, mijëra protestues janë mbledhur çdo natë në rrugët e Tiranës, në protestat më të mëdha që nga rënia e komunizmit.

Simboli i tyre, një flamingo rozë prej plastike, i ka dhënë emrin lëvizjes: “Revolucioni i Flamingos”. “Shqipëria nuk është thjesht një bregdet i bukur që pret të zhvillohet”, thotë Vojsava Masllavica, një redaktore mode që mori pjesë në protestat e qershorit.

“Për shumë vite shpresuam që bota më në fund të na shihte. Tani që kjo po ndodh, kemi përgjegjësinë të tregojmë jo vetëm çfarë mund të ndërtohet këtu, por edhe çfarë duhet të mbrohet.”

Planet për kompleksin thuhet se janë gjigante: 800 dhoma dhe suita, një fushë golfi dhe një kazino. E kujt i duhet një lumë i egër kur mund të ketë një park ujor të ndërtuar nga Kushner dhe me ushqim nga “Carbone”?

Resorti do të menaxhohej nga Aman Resorts, një kompani prestigjioze hotelerie, ku dhomat zakonisht kushtojnë më shumë se 1000 dollarë për natë. Shumë pak shqiptarë do ta kishin fuqinë blerëse për të vizituar këtë rezervat natyror të shndërruar në një qendër luksoze argëtimi.

Sipas faqes së analizave Wage, të ardhurat mesatare në Shqipëri janë rreth 12 mijë dollarë në vit. Protestat, të organizuara nga një koalicion grupesh mjedisore, kanë qenë kryesisht paqësore. Protestuesit mblidhen çdo mbrëmje në orën 19:00 në Sheshin Skënderbej dhe marshojnë drejt zyrës së kryeministrit.

Megjithatë, disa protesta u kthyen në përplasje në fillim të korrikut, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa protestuesit hodhën gurë. Në bregdet, protestuesit kanë rrëzuar gardhet rrethuese të një projekti tjetër që kufizon hyrjen publike në një plazh të njohur me rërë të bardhë.

Siç u shpreh për Reuters një pronar shtëpie në bregdet: “A mendojnë ata se mund ta marrin gjithë këtë pasuri pa gjak apo pa pasoja?”. Megjithëse u nxit nga projekti i Kushnerit, lëvizja protestuese është zgjeruar për të trajtuar shqetësime më të thella rreth shitjes së përshpejtuar të tokave bregdetare, ndërsa vendi përpiqet të shndërrohet në një destinacion turistik luksoz.

Protestuesit kërkojnë më shumë transparencë në procesin e ndërtimit, si dhe shfuqizimin e një ligji të miratuar në vitin 2024 që lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura.

Po ashtu, ata kërkojnë heqjen e statusit të “investitorit strategjik” që iu dha projektit të Kushnerit dhe që mundësoi një procedurë të përshpejtuar zhvillimi. Ky status iu dha ekipit të Jared Kushnerit vetëm disa javë pasi presidenti Trump mori detyrën për herë të dytë.

“Sfida nuk është nëse Shqipëria duhet të zhvillohet apo jo, por si duhet të zhvillohet”, thotë Masllavica. Protestuesit po kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e Edi Ramës, duke e akuzuar atë se po e shet vendin te ofertuesit më të lidhur me pushtetin.

Në intervista, Rama është përgjigjur me sfidë. “Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘Shkofshi në djall! Kaq’”, deklaroi ai për Financial Times. “Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam i tillë.”

Po ashtu, ai deklaroi për televizionin MS NOW se shqetësimet për zogjtë në Vjosë ishin thjesht “budallallëqe ideologjike”. Ndërkohë, në një lidhje telefonike me një televizion shqiptar, ai u acarua kur moderatorja e pyeti pse qeveria e tij, pas 13 vitesh në pushtet, nuk kishte siguruar ende shërbime të qëndrueshme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë.

Ai tha se gazetari “po fliste pa kuptim” dhe më pas ndërpreu transmetimin drejtpërdrejt.

Në kujtimet e tij për kohën kur shërbeu në administratën e parë të vjehrrit të tij, Kushner shkroi se një nga zbulimet e tij më të mëdha ishte se “stafi në Shtëpinë e Bardhë mund ta kalojë kohën duke formësuar perceptimin publik, ose mund ta përdorë atë duke bërë punë konkrete”.

Në korrik 2021, gjashtë muaj pasi u largua nga detyra, ai krijoi kompaninë e re Affinity Partners, duke iu rikthyer fushës së mëparshme të punës: sigurimit të investimeve nga fondet sovrane të Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite.

Këto vende i kanë dhënë Affinity Partners miliarda dollarë për të investuar në kompani teknologjike izraelite, për të ndërtuar hotele në Serbi dhe për të tentuar blerjen e gjigantit të videolojërave Electronic Arts. Sipas Vanity Fair, Kushner ka thënë se “në projektet e mëdha nuk mund t’i bësh të gjithë të lumtur”.

Në Shqipëri, parashikimi i tij është realizuar. Në qershor, SPAK hapi një hetim për mënyrën se si u zhvillua marrëveshja për projektin në deltën e Vjosës. Tashmë, prokuroria ka ngrirë llogaritë bankare të dy investitorëve që financojnë projektin – vëllezërve miliarderë sirianë Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët nisën të investonin me Kushnerin në vitin 2024, në të njëjtën kohë kur lobuan me sukses pranë administratës Trump për heqjen e sanksioneve ndaj vendit të tyre.

CBS News raporton se prokuroria po heton gjithashtu një shqiptaro-amerikan që i shiti tokën Kushnerit, për shkak të dyshimeve për “përfshirje në veprimtari kriminale të trafikut të drogës”.

Edhe Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë se ky projekt në një zonë të mbrojtur mjedisore mund të kërcënojë përpjekjet e saj për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Në Serbi – një tjetër vend kandidat për anëtarësim në BE - Kushner u tërhoq nga planet për Trump Tower Belgrade, pasi një ministër i qeverisë u akuzua për shpërdorim detyre në lidhje me një marrëveshje të favorshme zhvillimi me Affinity Partners.

“Ky prioritet që u jepet kompanive private, pavarësisht pasojave, ka prirjen të grumbullojë pakënaqësi derisa, në një moment, diçka shpërthen”, thotë Casey Michel, autor i librit të ardhshëm “United States of Oligarchy”, i cili merret gjerësisht me rolin e Kushnerit.

Ndërsa Kushner është ngarkuar me ndërmjetësimin e marrëveshjeve të paqes nga Ukraina deri te Irani, dhëndri i Trumpit tani e gjen veten në titujt kryesorë për një revolucion në Ballkan. Kur kontaktova me Affinity Partners për një koment, kompania më drejtoi te një zëdhënës i një kompanie tjetër, të quajtur Sazan Real Estate Development LLC, një kompani që nuk ka faqe interneti dhe që deklaron selinë në një kullë në Doha, Katar.

Drejtori ekzekutiv i saj, Asher Abehsera, nga Los Anxhelosi, ka punuar prej vitesh me Kushnerin në projekte pronash në Dumbo dhe Bruklin. Në një deklaratë dhënë për revistën New York Magazine, Abehsera tha se kompania është e përqendruar te “kujdesi mjedisor” për kompleksin e ligatinave dhe se e ardhmja e projektit “do të përcaktohet përfundimisht nga Shqipëria dhe populli shqiptar”./Pamfleti nga “New York Magazine”

albatrosi shqiptar i jared kushnerit

Lini një Përgjigje